Kosova harxhon 31 milionë euro në muaj për mallrat e Serbisë
Serbia është vendi kryesor prej nga Kosova importoi më së shumti mallra në muajin gusht, shkruan sot Koha Ditore. Kjo ndodh, ndërkohë që ka kaluar vetëm një vit kur Qeveria e Kosovës i kishte ndërprerë përkohësisht marrëdhëniet tregtare me këtë shtet. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja më e madhe e importit për muajin gusht ishte nga Serbia. Vlera e importeve nga ky shtet ishte 31 milionë e 462 mijë euro vetëm brenda një muaji. Kurse në gushtin e vitit të kaluar nga Serbia ishin importuar vetëm 3 milionë e 808 mijë euro, apo 3.1 për qind e totalit të importeve. Kësisoj, Serbia mbetet vendi në të cilin shkoi pjesa më e madhe e parave të gatshme të kosovareve.
Deficiti për muajin gusht vazhdon të jetë i lartë. Të dhënat nga tregtia e jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar për këtë muaj, e që ka qenë 217,1 milionë euro krahasuar me deficitin prej 205,9 milionë euro me gushtin e vitit 2011.