U dogjë arkiva e RTK-së
E plotësuar) Radio Televizionit të Kosovës i është kthyer sinjali tokësor dhe ai satelitor. Mësohet se zjarri ka djegur një pjesë të arkivës.
Burimet e Indeksonline brenda RTK-së kanë bërë të ditur se zjarri ka mundur të jetë i qëllimshëm pas zhvillimeve të fundit që po ndodhin në këtë televizion, mirëpo zyrtarisht ende nuk është konfirmuar dhe nuk ka të arrestuar.
Njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, ato të zjarrfikësve dhe komunale kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet rreth shkaktarit të zjarrit.
—-
Në orët e para të mëngjesit, një zjarr i madh ka shpërthyer në podrumin e Radio Televizionit të Kosovës.
Zjarri ka bërë që RTK të mos ketë sinjal fare, ndërkohë ekipet e zjarrfikësve dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes.
Rastin për Indeksonline e kanë konfirmuar burimet brenda RTK-së dhe Policisë së Kosovës.
“Për shkak të zjarrit që ka shpërthyer në podrumin ku ndodhet arkiva e RTK-së, nuk kemi munduar ta realizojmë programin e mëngjesit”, thotë një punëtorë i RTK-së.
Ndërsa Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, ka thënë se në këto momente nuk dihet për shkaktarin, ndërkohë ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon ende.
Ajo tha se zjarri është raportuar rreth orës 03:00, mirëpo nuk raportohet për të lënduar./Valdrin Krasniqi/