Kalo te lënda

Suspendohet për prishje imazhi

Javët e kaluara nga Radio Televizioni i Kosovës, kanë rrjedhur dokumente që tregojnë për keqpërdorime të mëdha të mjeteve të taksapaguesve kosovarë. Pas bërjes publike të këtyre dokumenteve Alma Lama deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, formimin e një komisioni hetimor për RTK-në.

Nuk kaluan as tri javë dhe çuditërisht nuk u suspendua asnjëri nga të apostrofuarit në ato dokumente, por zyrtari i pasurisë në këtë televizion Shkëlqim Latifaj.

“Preportr”, ka mësuar se Latifaj është suspenduar nga puna me 8 tetor vetëm një ditë para djegies së arkivit të këtij televizioni. Për këtë suspendim të Latifajt të hënën ka reaguar edhe Sindikata e RTK. Në këtë reagim thuhet se vendimi për suspendimin e Latifajt nga ana e menaxhmentit të RTK-së, është arbitrar.

“Në këtë vendim të propozuar nga udhëheqësja e shërbimeve të përbashkëta (e cila sipas raportit të Auditorit Gjeneral, për vite të tëra punon pa kontratë pune) e të nënshkruar nga drejtori gjeneral Sylejman Shaqiri, z. Latifaj i ndalohet hyrja në objektet e RTK-së me arsyetimin skandaloz të bazuar vetëm më supozime”, thuhet në reagim.

Ky vendim që Sindikata e quan tendencioz dhe të pashembullt, sipas saj (sindikatës), mund të konsiderohet si kërcënim ndaj punëtorëve të RTK-së, me qëllim që t’i frikësojë ata.

“Të akuzosh punëtorin e RTK-së, për dëmtim të imazhit të kompanisë dëshmon më së miri se në çfarë shkalle të panikut janë zhytur udhëheqësit e RTK-së. Gjendja dhe imazhi i RTK-së, është dëmtuar nga performanca e menaxhmentit të RTK-së e cila çdo ditë e më shumë po e ulë vlerën e kompanisë”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Sindikata e RTK-së i drejtohet Bordit të Drejtorëve me kërkesën që urgjentisht të reagojë për shfuqizimin e menjëhershëm të këtij vendimi provokativ, shkruan “Preportr”.

“Atyre të cilëve do të duhej t’u ndalohet hyrja në RTK janë pikërisht z. Shaqiri dhe vartësit e tij të cilët me paaftësinë e dëshmuar gjatë mandatit të deritashëm e kanë rrënuar perspektivën e 600 punëtorëve të RTK-së”, thuhet në reagim.

Sindikata është duke pritur edhe Bordit të reagojë lidhur me materialin tashmë të njohur, në të cilin pretendohet për keqpërdorime milionëshe të bëra nga menaxhmenti i RTK-së.

Lini një koment