Kalo te lënda

Policia e vlerëson të paqëllimshëm zjarrin në RTK

Zjarri që  ka shpërthyer mbrëmë rreth orës 02:30 në ndërtesën e Radiotelevizionit të Kosovës nuk ka qenë i qëllimshëm, vlerëson Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci, tha se ende nuk mund të jepet zyrtarisht shkaktari i zjarrit, por sipas tij, të dhënat e deritashme tregojnë se nuk ka zjarrvënie të qëllimshme dhe se të gjitha indikacionet tregojnë se shkaktari i zjarrit ishte aksidental, raporton KTV.

Zjarri në RTK kishte rënë në bodrumin e ndërtesës, konkretisht në hapësirat e Arkivit të RTK-së. Zjarrfikësit kanë arritur ta shuajnë zjarrin dhe në vendngjarje ka dalë njësiti i policisë për hetime. Nëpërmjet një njoftimi për media, RTK-ja njofton se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në tërë objektin e televizionit, deri në orën 10 e 30 nuk ka qenë e mundshme të transmetohet programi.

“Nëpërmjet një forme alternative, në pritje të përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, televizioni ka filluar të transmetojë programin e vet”, thuhet në njoftim.

Lini një koment