Ngjela: Burgu im, një shuplakë edhe për ata që mbajnë gjallë komunizmin në pushtet
Në këto ditë të vështira për ish- të përndjekurit politikë, Spartak Ngjela shpalos vëllimin e dytë të librit të tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”. Ndërsa vëllimi i parë përfshiu refleksione nga viti 1957, vëllimi i dytë i librit me të njëjtin titull i Avokatit nis nga 1975 deri në 1991, vitet e kalvarit të vuajtjeve të Ngjelës.
Duke folur në “Shqip”, Ngjela si ish- i përndjekur rrëfen jetën në “parajsë”, jetën kur ishte pjesë e banorëve të kryeqytetit. Një jetë “elitë” për ato vite. Jeta në Tiranë, rrëfen avokati, ishte ndryshe nga ajo në rrethe. Këtu ishin mbledhur artistët, inxhinierët, këngëtarët, elita.
Më tej, Ngjela foli “dy fjalë” për jetën e tij, nga vitet në burgje, në të njëjtën qeli me të atin, e deri tek analizimi i figurës së Enver Hoxhës, arketipi i të cilit, sipas tij, është ende gjallë sot. Hoxha, thotë Ngjela, ishte nacionalist në disa drejtime duke i njohur meritën për mbrojtjen e tezës ilire, ngritjes së figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Hero Kombëtar dhe më të rëndësishëm, po sipas tij, gjuhën standarde.
“Unë kam parë nga burgu, fenomenin e shembjes së burgut, fenomenin e gjuhës, fenomenin Gorbaçov dhe Ten Tsiao Pin”, thotë Ngjela duke sqaruar se këndvështrimi nga izolimi i burgut të Burrelit është shpalosur në libër.
Duke iu rikthyer aktualitetit dhe protestës së ish të përndjekurve politikë, avokati tha se qeveria ka sot detyrimin civil të dëmshpërblejë këtë kategori njerëzish të hedhur në protestë.
Ngjela premtoi që në muajin mars të vitit të ardhshëm do dalë në treg vëllimi i tretë i librit të tij, nga 1991 e deri në 2010, një rrëfim i të vërtetave të jetës së tij, bashkëpunëtorëve dhe “rivalëve” publikë në vitet e demokracisë.