Jo bisedime politike për veriun
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, thotë se nuk duhet të ketë bisedime politike për veriun. Ai ka shpalosur një strategji për dalje nga ‘status quo’-ja në këtë pjesë të Kosovës, duke thënë se në veri duhet që t’u sqarohen serbëve benificionet nga zbatimi i Pakos së Ahtisaarit, si dhe ka kërkuar zhvillim ekonomik për këtë pjesë.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në një intervistë për Gazetën “Lajm”, ka thënë që Kosova nuk duhet të bisedojë me Serbinë për veriun, pasi që, sipas tij, problemet kryesore në këtë pjesë vijnë nga mungesa e sundimit të ligjit. Kastrati ka propozuar një strategji për të dalë nga kjo situatë.
Ai ka thënë që serbëve në veri do të duhej t’u sqarohej që gjithçka që kërkojnë e kanë brenda Pakos së Ahtisarit, si dhe zhvillimin ekonomik të kësaj pjese. Kastrati ka thënë se EULEX-i dhe KFOR-i nuk janë duke e kryer punën e tyre për sigurimin e lirisë së lëvizjes, ndërsa nga kjo mospunë po pësojnë qytetarët.
“Problem esencial është mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit, si pasojë e mungesës së rendit dhe ligjit pasojnë edhe problemet tjera si pamundësia e qarkullimit të lirë të qytetarëve, pamundësia e shfrytëzimit të pronës, pamundësia për qasje në prona në zonat më të thella të pjesës veriore. Këto probleme po ndikojnë shumë negativisht në jetën e qytetarëve, sepse këto probleme po diktojnë një situatë tjetër prej asaj që e dëshirojmë të gjithë dhe të cilën ligji e mundëson”, ka thënë Kastrati.
Ai thotë se me problemin e qytetarëve në atë pjesë duhet të merret në rend të parë EULEX-i por edhe KFOR-i, sepse qarkullimin e lirë e pengojnë barrikadat, prandaj këto dy institucione ndërkombëtare, duke mos e kryer obligimin e vet, ne si qytetarë po sfidohemi që të gjendemi në situata specifike, të reagojmë e të vijë deri te një konflikt i mundshëm, të cilin ne nuk e dëshirojmë.
“Jam i bindur që një numër i madh i qytetarëve të pjesës veriore, por edhe një numër i madh i pjesëmarrësve në bisedimet që mund të bëhen, nuk e kanë lexuar Pakon e Ahtisaarit, nuk e dinë çfarë përmban ajo, prandaj ata shpeshherë kërkojnë gjëra të cilat janë tashmë në Pakon e Ahtisaarit e Kushtetutën e Kosovës”.
“Unë mendoj se nuk duhet asgjë më tepër se Pakoja e Ahtisaarit për këtë pjesë të Kosovës, por gjithnjë duke ua bërë me dije, duke ua argumentuar se kërkesat që ata po i parashtrojnë, ato tashmë veç janë paraparë në Pako e në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.