Herët a vonë e domosdoshme që Serbia të njohë Kosovën
Shefi i socialdemokratëve të Parlamentit Evropian Hans Svoboda ka deklaruar se herët a vonë do të vijë koha kur do të jetë e domosdoshme që Serbia të njohë faktin se Kosova është shtet i mëvetësishëm.
“Kjo duhet të bëhet sa më parë që është e mundur, por kjo nuk është parakusht për hapjen e negociatave për pranimin, dhe ne në Parlamentin E vropian kurrë nuk kemi thënë se kjo është parakusht për Serbinë. Mendoj , në fund, para pranimit të Serbisë në BE, kjo do të duhej të bëhej dhe unë nuk shoh mënyrë tjetër por që Serbia të njohë Kosovën dhe gjithsesi duhet të vendosen lidhje speciale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe Serbsië dhe popullatës serbe në Kosovë, por ajo që tani duhet bërë është që të vazhdojnë bisedimet, që të zgjidhen çështjet konkrete, që të tentohet të vendoset bashkëpunimi më i afërt kurse për vetë Serbinë do të ishte më së miri që njohë faktet dhe ta bëjë këtë sa më parë që është e mundur”, ka thënë Svoboda, njofton Zëri i Amerikës në gjuhën serbe në një korrespondencë nga Brukseli.
Po ashtu theksohet se të mërkurën para se të publikohet raporti i Parlamentit Evropian për progresin e Serbisë, dihet me siguri se ai nuk do t’i sjellë rekomandimin për fillimin e negociatave, sepse pritet përparim i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm në negociatat me Prishtinën.
Svoboda mendon se negocitatat me Serbinë duhet të fillojnë në pranverën e ardhshme nëse do të ketë normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, nëse vazhdon dialogu , të qetësohen radikalët në veri të Mitrovicës, sepse ai mendon se “çfarëdo vazhdimi i trazirave do të ishte pengesë e madhe e fillimit të negociatave.