Fronti i zorshëm
Isa Mustafa shtroi një drekë për Nexhat Dacin, në përpjekje për ta bindur atë që t’i bashkohet “Frontit të Djathtë”. Ftesa e lumturoi Akademikun, por ai tha se duhen të ndodhin shumë takime për të arritur ndonjë bashkëpunim me LDK-në. Për AAK-në, ideja e Mustafës për bashkimin e partive të deklaruara si të djathta, ka nisur mbrapsht.
Gjashtë vjet nga Kuvendi Zgjedhor i LDK-së, kur Nexhat Daci mori përkrahësit e tij nga aty dhe formoi parti të re, krerëve të LDK-së iu ka rënë ndërmend se mbase mund ta rikthejnë Akademikun në gjirin e tyre. Për këtë, Isa Mustafa shtroi një drekë, në një restorant të Gërmisë, shkruan “Express”.
Ftesa u pranua nga Nexhat Daci – të cilit që prej zgjedhjeve të fundit, kur partia e tij nuk arriti ta kalonte pragun zgjedhor – nuk i ndodh shpesh të marrë ftesa të tilla.
Kreu i LDD-së dukej i lumtur që po takonte homologun nga LDK-ja, por në deklaratën për media, pas drekës, la të kuptohet se duhen edhe shumë takime në mënyrë që të arrihet ndonjë marrëveshje.
“Do të thosha që është një sukses tepër i madh që t’i bësh bashkë shqiptarët në një tavolinë dhe të mos përlahen”, tha Daci. “Dhe, ky sukses ndodhi. Takimi ishte tejet relaksues”, shtoi ai.
Isa Mustafa po tenton ta krijojë një front të partive të deklaruara si të djathta, si e vetmja mënyrë për ta mundur PDK-në e Hashim Thaçit. Ai u ka bërë ftesë publike AAK-së, AKR-së dhe LDD-së.
Nexhat Dacit i ka pëlqyer kjo ide. “Profesor Isa dhe kolegu, jemi edhe në Universitet, edhe në Akademi, e tha idenë e vet, unë i thashë që kjo duhet të vazhdojë në kuptimin e sqarimit të çështjeve”.
Ndërkaq, Mustafa ka sqaruar më tej idenë e tij. “Ne sot e kishim qëllim që të ulemi bashkërisht edhe të bisedojmë, ta kemi më tepër një ndejë, bisedë pune, por jo që të merremi vesh apo të mos merremi vesh. Unë kam dalë javën e kaluar me një ide dhe propozim dhe që të shohim proceset dhe në bazë të atyre të proceseve, të bëjmë një bashkim të partive të qendrës së djathtë, në mënyrë që në qeverisjen e ardhshme të veprojmë dhe të punojmë bashkërisht. Ajo çfarë sot bëmë, është se në biseduam, biseduam në mënyrë shumë të relaksuar dhe e lamë mundësinë që në procese të ardhshme prapë të punojmë edhe që këto procese t’i vlerësojmë”, tha kreu i LDK-së.
Por, kjo nuk është punë e lehtë për t’u arritur. Nexhat Daci shfryu sërish mllefin ndaj ish-kreut të LDK-së, Fatmir Sejdiut.
“Unë besoj në Kryetrarin e LDK-së, kam qenë përkrahës i tij shumë herësh. E ka një rrugë shumë të vështirë para vetes, një rrugë të cilën të tjerët, para se me ardh, e kanë bërë gropa, vështirë të riparueshme. Por besoj që me vullnetin që sot e demonstroi kryetrari i LDK-së, tash nëse nuk është kjo fushatë para zgjedhjeve të Akademisë, se të dy jemi në proces të atillë, e besoj që mirë do të shkojë….”, u shpreh Daci.
Por, Lideri i LDD-së bëri me dije se ribashkimi nuk do të jetë i lehtë.
E, pavarësisht se ende nuk e kanë zyrtarizuar bashkimin mes tyre, të hënën, Daci dhe Mustafa u shfaqën mjaft bashkëpunues. Kur Mustafa u pyet nga gazetarët nëse shpreson në një fitore të betejës që i ka hyrë për zgjedhjet e ardhshme, përgjigje dha Daci.
Ftesa e ngjashme nga Mustafa ditë më parë iu drejtua edhe AAK-së së Ramush Haradinajt dhe AKR-së së Behgjet Pacollit.
Por këto të dyja thuhet të mos kenë vendime rreth mundësisë së takimit me liderët e LDK-së për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.
Jo edhe aq të disponuar për diçka të tillë janë shfaqur zyrtarët e AAK-së.
“Mendoj se të gjitha idetë janë të mira, të gjitha idetë për të dalë prej situatave, mirëpo idetë për koalicion nuk thuhen paraprakisht në publik, kërkesat publike i pasojnë kërkesat që shkojnë nëpër tavolina, kjo ndodh në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë dhe nuk duhet përkundrazi. Nuk mund të thuhet në televizor dhe pastaj të shkohet në tavolinë në një çështje kaq delikate”, ka thënë nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, të hënën, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ndërsa, deputetja Myzejene Selmanaj, nga AKR-ja, tha për “Express” se presin të mblidhet Kryesia e Partisë për të diskutuar rreth ftesës së LDK-së.