Universum në top 3 përqindëshin e shkollave më të mira të biznesit në botë
Kolegji Universum është përzgjedhur në listën e top 1000 shkollave më të mira në botë (nga 27,000 sa ekzistojnë gjithsej). Përzgjedhja është bërë nga “Eduniversal” agjenci rangimi dhe rejtingu për shkolla të biznesit me seli në Francë, që konsiderohet si një nga tri agjencitë më prestigjioze në botë. Kjo e bën Kolegjin Universum të hyjë në grupin elitar të top shkollave më të mira të biznesit në botë, ku përfshihen vetëm 3 për qind e shkollave.
Në letrën të cilën Kolegji Universum e ka pranuar nga Presidenti i Eduniveral, Martial Guiette me të cilën njoftohet se Universum listohet në top 3 përqindshin e shkollave më të mira të biznesit në botë thuhet: “Në emër të këshillit shkencor të Eduniveral, kam kënaqësinë të Ju njoftoj se Kolegji Universitar Universum – Fakulteti për Biznes dhe Menaxhment është përfshirë në përzgjedhjen zyrtare të Eduniveral për 2012 në 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga 154 shtete, sipas vlerësimit të Eduniveral. Kolegji Universum është institucioni i vetëm nga Kosova i përfshirë në sistemin e rangimit të Eduniveral dhe me këtë Ju përgëzojmë”.
Renditja zyrtare e shkollave të biznesit nga Eduniveral është rezultat i punës vlerësuese të bërë nga Këshilli ndërkombëtar shkencor i përbërë nga nëntë ekspertë të pavarur të cilët janë personalitete të rëndësishme akademike në regjionin ku punojnë.
Drejtori Ekzekutiv i Kolegjit Universum Alejtin Berisha tha se kjo është një arritje e jashtëzakonshme për Universumin por edhe gjithë Kosovën.
“Vetëm 7 vjet pas themelimit të Kolegjit Universum, 4 vite pas pavarësisë së Kosovës dhe në 100 vjetorin e Shtetit Shqiptar, nuk mund të merrnim ndonjë dhuratë më të çmuar se të jesh në top 3 për qindëshin e shkollave më të mira të biznesit në botë. Kjo vjen si rezultat i punës së jashtëzakonshme të stafit dhe studentëve të Universumit dhe projekteve inovative ndërkombëtare që Universum i zhvillon”, tha Berisha.
“Brenda këtij muaji Universum është pranuar në Asociacionin Ndërkombëtar të Universiteteve (International Association of Universities – IAU), ka prezantuar programet e veta në panairin ndërkombëtar në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley dhe ka nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme me universitete nga e gjithë bota. Jemi shumë krenar me cilësinë që ua ofrojmë studentëve tanë dhe promovimin që ja bëjmë shtetin tonë, Republikës së Kosovës. Nuk mund të ketë ndjenjë më të mirë se të kontribuosh në zhvillimin e gjithëmbarshëm të popullit tënd”, tha Berisha, duke potencuar se do të ketë edhe shumë zhvillime të rëndësishme vitin në vijim, “të cilat do ta bëjnë krenar çdo qytetar të Kosovës”.
Kolegji Universum është institucioni më aktiv në fushën e ndërkombëtarizimit të arsimit në Kosovë duke qenë anëtar aktiv i Rrjetit Global të Kolegjeve (Global College Network), nënshkrues dhe anëtar aktiv i UN Global Compact dhe Iniciativa për edukim të përgjegjshëm në fushën e menaxhmentit e OKB-së (UN PRME Initiative), anëtar aktiv i rrjetit ‘Universitetet kundër urisë’ (Universities Against Hunger), anëtar i kampuseve virtuale për zhvillim të qëndrueshëm dhe ofruesi i vetëm në Kosovë i studimeve ndërkombëtare në bashkëpunim me partner nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.