Të rinjtë agresivë
Nga janari deri në shtator të këtij viti Policia e Kosovës ka evidencuar 2 mijë e 793 raste të lëndimeve trupore, nga të cilat 366 janë lëndime të rënda. Një numër i madh i këtyre lëndimeve vjen, sipas përfaqësuesve të PK-së, si pasojë e therjeve me armë të ftohta mes të rinjve.Kjo dukuri vlerësohet të jetë e theksuar tek adoleshentët në shkollat fillore dhe të mesme, shkruan sot “Koha Ditore”.“Kemi raste të kohëpaskohshme të therjeve me thikë. Këto raste hetohen nga policia dhe kapen personat e dyshuar e dërgohen para organeve të drejtësisë, siç është prokuroria dhe gjykatat me kryerës të njohur. Këto raste zakonisht klasifikohen si lëndim i rëndë apo lëndim i lehtë trupor apo edhe ndonjë rast tjetër”, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës i PK-së.
Sipas Kelanit, rastet e tilla ndodhin kryesisht në ambiente të hapura, por edhe në lokale të ndryshme e sidomos në lokale të natës. “Në këtë kategori të rasteve futen edhe rastet tjera, si rrahjet dhe incidentet e lehta që ndodhin në mes të personave të ndryshëm”, ka shtuar ai.
Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente në QKUK, ka bërë të ditur se “dukuria” e therjes me thika është e shprehur më së shumti tek adoleshentët nga mosha 15 deri në 20 vjeç. Ai ka bërë të ditur se janë nxënësit e klasave më të larta të shkollave fillore dhe në tërësi nxënësit e shkollave të mesme që përfshihen vazhdimisht në përleshje të cilat rezultojnë me therje. Megjithëse gjatë këtij vitit Lenjani ka konfirmuar se është ulur numri i të lënduarve krahasuar me vitet paraprake, ai ka thënë se ka pasur shumë raste kur adoleshentët janë rrezikuar me vdekje nga lëndimet e marra.
Sa u përket rasteve të therjeve mes të rinjve mbi moshën 20-vjeçare nëpër lokale dhe klube të natës, Lenjani ka thënë se këto raste janë të shprehura në numër më të vogël në krahasim me rastet e adoleshentëve. “Zakonisht në mbrëmje kemi njerëz të dehur që shkaktojnë aksidente në trafik, por edhe konflikte nëpër lokale. Tek pas orës 12:00 janë telashet më të mëdha si pasojë e alkoolit nëpër klube të natës”, ka shtuar ai.
Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të Arsimit, ka bërë të ditur se lidhur me dhunën nëpër shkolla është e hartuar një strategji, e cila është e nënshkruar dhe e miratuar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, si dhe ajo e Punëve të Brendshme, që parasheh ndërmarrje të hapave konkretë për parandalimin e dhunës nëpër shkolla./standardi.info