Kalo te lënda

Surroi kundër kthimit të vendeve të rezervuara

Publicisti Veton Surroi ka reaguar ndaj kërkesës së disa deputetëve për t’i kthyer vendet e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës. Ai përmes një reagimi ka sqaruar këtë kërkesë, si ish-kryesues i Grupit të komuniteteve gjatë negociatave për statusin e Kosovës.

“Gjatë procesit negociator, të ndërmjetësuar nga presidenti Ahtisaari, në cilësinë e kryesuesit të Grupit të komuniteteve kam iniciuar edhe çështjen e të drejtave të rezervuara në Kuvendin e Kosovës të komuniteteve pakicë. Kam konsideruar se në Kushtetutën e Kosovës së pavarur do të mbaheshin (edhe për faktin e precedencës) 20 vendet e garantuara për komunitetet pakicë, por se duhej eliminuar forma tjetër e diskriminimit pozitiv, pra vendet e rezervuara të cilat do t”u shtoheshin atyre 20 në bazë të numrit të votave të fituara”, thuhet në reagimin e Surroit, drejtuar medieve.
Me tutje ai ka sqaruar se për këtë gjë kishte biseduar në tri nivele.
“Fillimisht me Grupin e ekspertëve ndërkombëtarë, qoftë këshillues të Delegacionit të Kosovës, qoftë këshillues të presidentit Ahtisaari. Pastaj me përfaqësuesit e komuniteteve të Kosovës, në një proces i cili prodhoi konsensus lidhur me të drejtat e komuniteteve. Së fundmi edhe me vet presidentin Ahtisaari dhe zëvendësin e tij Albert Rohan”, sqaron Surroi.
Ai në reagim sqaron se pas disa raundeve negociatash, dhe rezistencës së madhe nga disa prej përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, megjithatë u arrit pajtimi, i sugjeruar nga ndërmjetësit Ahtisaari dhe Rohan, që formula e vendeve të rezervuara nga Korniza kushtetuese të ruhet në formë transitore për dy raunde zgjedhjesh parlamentare, ndërsa që më vonë të hyjë në fuqi formula e 20 vendeve të ndara, pa mundësi rritje në bazë të votave të fituara.
“Një zgjidhje e këtillë u integrua në bazën juridike për shpalljen e pavarësisë së vendit. Ndonëse mendoj se nuk ka zgjidhje perfekte juridike dhe çdonjëra i vihet testit të kohës, konsideroj po ashtu se deputetët që e iniciojnë ndryshimin e kësaj norme juridike, sikundër edhe ata që pranojnë këso iniciativa, duhet të jenë të vetëdijshëm se po e hapin paketën e Ahtisaarit, e cila u arrit me dy forma të konsensusit, atij mes shqiptarëve dhe komuniteteve pakicë si dhe atij me Kosovës dhe vendeve që e përkrahën pavarësinë e vendit”, thuhet në reagimin e Surroit.
Surroi shprehet se rihapja e pakos mund të ketë së paku dy lloj pasojash imediate.
“Së pari, të hap rrugën e precedencës për çdonjërin që është i pakënaqur me këtë pako (e të këtillë me siguri se mund të ketë më shumë nga radhët e shumicës) që të fillojë ndryshimet që i shohin si të nevojshme, duke e prishur balancën e arritur në pakon e Ahtisaarit. Së dyti, të problematizojë sërish debatin mbi marrëdhëniet etnike në Kosovë, si parahyrje për negociatat politike mes Prishtinës dhe Beogradit”, përfundon reagimi.

Lini një koment