Ndërroi jetë Larry Rossin
Diplomati amerikan, Larry Rossin, ka qenë i përfshirë për shumë vite në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ai vdiq sot pas një sëmundje të rëndë. Rossin ka qenë Shefi i parë i Zyrës Amerikane në Kosovë, 1999.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë kumtuar familja e diplomatit Rossin, gruaja Debra, si dhe fëmijët Claire dhe Alec.
Rossin në fillim të vitit të kaluar ishte diagnostifikuar se vuan nga një lloj i kancerit të gjakut.
Larry Rossin ka qenë Shefi i parë i Zyrës amerikane në Kosovë, 1999, ndërkaq në kohën e shpalljes së pavarësisë ka qenë zëvendësshef i UNMIK-ut.
Ai ka punuar në Misionin e OKB-së në Kosovë në vitet 2004-2006, për t’u kthyer sërish në janar të vitit 2008, pas shkarkimit të Steven Schook.
Rossin ka qenë njëri nga diplomatët amerikanë i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës që nga koha e luftës. Rossin do të mbahet mend jo vetëm si mbështetës i pavarësisë së Kosovës, por edhe si një nga diplomatët e rrallë që ka qenë pjesë e veprimeve konkrete për ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Rossin ka shërbyer gjatë në diplomacinë amerikane. Ka punuar në NATO, Ambasador i SHBA-ve në Kroaci, etj. Ai ka mbajtur poste të ndryshme në Departamentin e Shtetit si dhe ka punuar në misione të ndryshme ndërkombëtare.