Nazimja ka plagë në organet gjenitale
Detaje të reja dalin në dritë nga ekspertiza mjeko-ligjore e 18- vjeçares Nazime Visha, e cila ka pranuar se ka qëlluar për vdekje me qëllim vetëmbrojtje shtetasin Fiqiri Muça. Gjatë vizitës së kryer në datën 3 shtator në Institutin e Mjekësisë-Ligjore, në trupin e Nazimes janë konstatuar shenja plagësh. Nga ekzaminimi janë gjetur pesë plagë në pjesën e hymenit (në vaginë), ndërsa mësohet se ato janë në ngjyrë të bardhë. Gjithashtu, janë konstatuar plagë edhe në kyçin e dorës së djathtë të vajzës.
Sipas burimeve, nga ekzaminimi fizik në këtë pjesë të trupit janë gjetur dy mbetje plagësh: Një në nivel të lëkurës normale dhe një tjetër nën nivelin e lëkurës. Ndërkohë që, dëshmia mjeko-ligjore që i është dorëzuar prokurorit të çështjes, Blerim Tominaj, përveç dëmtimeve që janë gjetur në trupin e Nazimes, përmban edhe disa përfundime të tjera. Kështu, specialistët e mjekësisë ligjore kanë arritur në përfundimin se Nazimja nuk ka qenë asnjëherë shtatzënë dhe se nuk ka kryer ndonjëherë ndërprerje të vullnetshme apo të pavullnetshme shtatzënie, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
Gjithashtu, sipas ekzaminimit rezulton se ajo është defloruar (zhvirgjëruar) para shumë vitesh.
Ngjarja, në të cilën ishte përfshirë 18-vjeçarja Nazime Visha ndodhi më 13 gusht 2012 në vendin e quajtur Xhamia në qendër të fshatit Krrabë në Tiranë. Policia gjeti të vrarë me armë zjarri shtetasin Fiqiri Muça, ndërsa nga të dhënat e para të policisë rezultoi se ai është qëlluar me armë zjarri nga Nazimja me qëllim vetëmbrojtjen. Kjo për arsye të tentativës për t’u rrëmbyer nga Fiqiriu.
Sipas dosjes së Prokurorisë, viktima, disa vite më parë, për shkak të marrëdhënieve të punës është njohur me të atin e Nazimes dhe kanë lidhur miqësi, e cila më vonë është bërë edhe familjare, pasi vëllai i Fiqiri Muçës është bashkëshorti i motrës së Nazimes. Nisur nga kjo lidhje, viktima shpesh për shkak të punës qëndronte me ditë të tëra në banesën e shtetasit Beqir Visha dhe në një rast, sipas Nazimes ai e ka gjetur të vetme në banesë duke e provokuar për të kryer marrëdhënie seksuale me të, gjë e cila ka ndodhur pa pëlqimin e Nazimes. Në muajin dhjetor të vitit 2012, familja Visha e ka fejuar Nazimen, fejesë të cilën viktima e ka përjetuar keq.
Ndërkohë që, sipas pretendimeve të së pandehurës, viktima jo vetëm ka insistuar në ruajtjen e marrëdhënies mes tyre, por edhe e ka kërcënuar se ajo nuk do të fejohej me asnjeri përveç tij, ndërsa në një rast me këtë gjuhë i ka folur edhe të fejuarit të saj, gjë e cila e ka detyruar këtë të fundit të prishë fejesën. Nga hetimet e çështjes në fjalë rezulton se mes viktimës dhe personit nën hetim Nazime Visha ka patur për një kohë relativisht të gjatë marrëdhënie seksuale. /Telegrafi/