Kalo te lënda

Kosova me dy palë kritere për MSA-në

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, po pret që për ditëlindjen e saj, këtë të mërkurë, më dhjetë tetor, të marrë një dhuratë të veçantë. Në ditën kur do të publikohet raporti i Studimit të Fizibilitetit për Kosovën nga Komisioni Evropian, ministrja Çitaku pret lajme të mira për Kosovën, gjegjësisht mundësinë që Kosova të fillojë negociatat që në të ardhmen të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian, marrëveshje që ka për qëllim stabilizimin e vendeve që duan të aderojnë në BE.

Por edhe mundësia që Kosova të fillojë këto negociata me BE-në, nuk do të jetë e menjëhershme. Sipas asaj që ka parë ministrja, Kosova krahas kritereve që do të duhej t`i plotësojë prej fillimit të negociatave, do të ketë edhe disa kritere shtesë për nisjen e tyre. “Unë pres që të jenë kritere që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reformim të administratës publike”, ka thënë ministrja Çitaku në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Sipas saj, këto kritere që do të mundësojnë nisjen e negociatave do të jenë lehtë të arritshme, ngase nuk do të jenë asgjë tjetër pos kërkesa për miratimin e ndonjë ligji apo strategjie të veçantë.

Ministrja e Integrimeve ka kërkuar që raporti i Studimit të Fizibilitetit të mos shërbejë si “armë në duart e askujt”, por si element vetëreflektimi për atë që ka bërë e gjithë shoqëria bashkë me prezencën ndërkombëtare që nga çlirimi, e sidomos për pesë vjet pavarësi.

Tek ka folur në cilësinë e anëtares së Këshillit Drejtues të PDK-së, Çitaku ka thënë se nuk ka krizë institucionale në Kosovë, por ngërçe që janë normale në një demokraci. Sipas saj, situata duhet të shtendoset dhe nuk duhet menduar për zgjedhje pa e kryer reformën e sistemit (intervista e plotë, sot në “Kohën Ditore”).

1 Koment »

Lini një koment