Ish deputeti: Në Qeveri, më priten me allti
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk është duke e përfillur tash e një vjet Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 8 Dhjetor të vitit 2011, në lidhje me kthimin në punë të ish-deputetit dhe njëherit ish-Kryeinspektor i Punës në MPMS Shkumbin Demalijaj.
Demalijaj kishte punuar si kryeinspektor i Punës në MPMS nga data 01.01.2006 deri në muajin nëntor të 2007, ku Demalijaj u detyrua ta lëshojë këtë post për shkak të zgjedhjes së tij si Deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka qenë deputet i legjislaturës së tretë nga viti 2007 – 2010. Në vitin 2010,ku u bënë zgjedhjet e parakohshme dhe ai mbeti jashtë Kuvendit të Kosovës.
Ish-deputeti dhe ish-kryeinspektori i punës Shkumbin Demalijaj, nuk ka mundur më të kthehet në vendin e tij të mëparshëm të punës edhe pse në nenin 38 të Ligjit Nr. 03/L-111 për Të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit thotë se: “Deputeti që para fillimit të mandatit ka qenë i punësuar në sektorin publik ose në institucionin që financohet me mjete publike, ka të drejtë vazhdimin e funksionit në pozitën e tij të njëjtë ose në pozitë të rangut të njëjtë pas përfundimit të mandatit të deputetit. Për këtë qëllim deputeti duhet ti parashtrojë kërkesën e tij punëdhënësit Brenda (6) muajve pas përfundimit të mandatit”.
Edhe pse ish-deputeti Shkumbin Demalijaj kishte drejtuar kërkesën për kthim në vendin e punës si kryeinspektor i punës në MPMS, brenda afatit ligjorë ku deri atëherë ka pasur vetëm ushtrues detyre.
Në këtë rast, brenda kësaj periudhe përpos që është shkelur ligji, është shkelur edhe e drejta e Demalijajt, duke mos marrë përgjigje nga MPMS për kohë një vjeçare.
Menjëherë pas kërkesës që ka bërë Demalijaj për kthimin në punë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, pa konkurs, në vend të Shkumbin Demalijaj, Basri Ibrahimin si Kryeinspektor të Punës.
Pritjes një vjeçare të ish deputetit Demalijaj përpos që nuk ju kishte përgjigjur Ministri i punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiç, nuk ju kishte përgjigjur as Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe as Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, të cilëve Demalijaj i’u kishte drejtuar me nga një kërkesë .
“I nderuari z. Kryeministër të nderuar dhe të respektuar zotërinj vartës se Kryeministrit Thaçi, z. Kuqi dhe Rashiq, me anë të kësaj kërkese ju drejtohem që brenda afatit ligjorë të më ktheni përgjigjen në përmbushjen e të drejtës time ligjore për realizimin e kërkesës time të drejtuar një vit më parë Ministrit të MPMS gjegjësisht të datës 22.03.2011 e protokolluar me nr.Prot.64 me datë 30.03.2011 për të cilën asnjëherë nuk kam marrë përgjigje”.
“Andaj z. Kryeministër ju lus ta keni në konsideratë kërkesën time gjatë shqyrtimit sepse ligji është shkelur dhe ju takon juve personalisht dhe ligjshmërish ta përmbyllni këtë çështje dhe të udhëzoni mekanizmat tuaj për përfundimin e kësaj çështje”, ishte kërkesa e ish-deputetit Demalijaj ndaj Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.
Deputeti Demalijaj, ka pohuar për Indeksonline, se për kthimin e tij në punë ka qenë pengesë edhe fjala e Kryeministrit. Madje ka thënë se edhe vetë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ia ka pranuar se nuk mund ta kthejë në punë për shkak të Kryeministrit.
“Vetë Ministri Rashiq ma ka pranuar se është vendim i Kryeministrit Hashim Thaçi që unë mos të kthehem në punë”, thekson Demalijaj.
Indeksonline ka kërkuar nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe po ashtu edhe nga Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi që të marrë sqarime për mos respektim të afatit ligjorë, dhe moskthimin në punë të deputetit Demalijaj, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë për Indeksonline se ai e ka shok Demalijajn, dhe nuk ka kompetenca për të folur për këtë punë. Ndërsa në MPMS, Indeksonline nuk ka marrë përgjigje as pas një javë pritjesh.
Pas të gjitha këtyre kërkesave Demalijaj vendosi, që të njëjtën kërkesë ta bënte edhe tek Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civilë të Kosovës, të vetmit institucion që Demalijaj konsideronte që mund të gjente zgjidhje dhe të merrte përgjigje.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civilë të Kosovës, e kishte aprovuar kërkesën e Demalijaj dhe në të njëjtën kohë kishte marr vendim, duke obliguar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që ta respektojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, për kthimin në punë të ish-deputetit Demalijaj.
Në këtë rast, MPMS-ja, nuk e ka marrë parasysh as vendimin e Këshillit, gjë që mos zbatimi i këtij vendimi nga personi përgjegjës i institucionit paraqet shkeljet rëndë të detyrave të punës sipas Ligjit për shërbimin Civilë të Republikës së Kosovës nr. 03/L-192.
“Nëse personi përgjegjës i institucionit nuk e ekzekuton vendimin e Këshillit në afatin e paraparë me nenin 13 të Ligjit nr. 03/L-192 për KPMSHCK-së, Këshilli në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh nga dita kur kalon afati për ekzekutim, do ta njoftoj me shkrim Kuvendin e Kosovës, Kryeministrin dhe Eprorin e drejtpërdrejt, për ndërmarrjen e masave ligjore”, thuhet në vendim.


Demalijaj akuzon, sekretari mohon
Shkumbin Demalijaj, ish-deputet dhe ish-kryeinspektor i punës në MPMS, pas të gjitha kërkesave me shkrim që kishte bërë dhe që nga asnjëra prej tyre nuk kishte marrë përgjigje, kishte kërkuar që rastin ta diskutojë edhe “sy më sy”.
Në Kryeministri Demalijaj kishte marrë përgjigje pozitive për takim, në një shkresë të këtij institucioni, por që kanë kaluar një muaj dhe ky institucion nuk i ka përfillur takimet.
E ndryshe nga këta të fundit, Demalijajn e kishte pritur sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Esheref Shabani.
Pritja e tij kishte qenë pak sa më ndryshe se një pritje zyrtare. Demalijaj ka thënë për Indeksonline se gjatë takimit që kishte pasur me sekretarin Esheref Shabani, në tavolinën e tij gjatë gjithë kohës ka qëndruar revolja e tij, që ai e ka në posedim me leje.
“Takimi në mes meje dhe z.Shabanit është zhvilluar në prezencën e alltisë së tij. E kam pyetur edhe për arsyen e këtij veprimi, dhe ai ma ka kthyer vetëm me një buzëqeshje, por pa më dhënë shpjegim se pse po e mbante një armë në një takim në institucionet publike. Mendoj se prezenca e armës në takim ka qen e pa nevojshme, , qoftë me leje apo pa të”, ka thënë Demajiaj për Indeksonline.
Derisa Demalijaj e quan një bisedë jo normale, bisedë në prani të revoles. Esheref Shabani, nuk e ka pranuar një gjë të tillë, duke thënë se është e papranueshme dhe e trilluar nga vet zoti Demalijaj.
“Sinqerisht me lejoni të them se vërtet është banale tendencioze, dhe tërësisht e trilluar nga z.Demaliaj. Një ish Ushtar të UÇK-së unë ta pres me revole mbi tavolinë kjo do të ishte e turpshme për mua, absolutisht nuk ka ndodhë, absolutisht them edhe një herë, revolen e mbaj me leje të shtetit të nderuar. Është e pa pranuar për mua, dhe nuk kam pas asnjë arsye që unë zotin Demaliaj apo me dikë tjetër ta presë me revole mbi tavolinë./Indeksonline/
