Kalo te lënda

Isa Mustafa ‘sfidohet’ nga brenda

Isa Mustafa assesi nuk po mundet që ta konsolidojë partinë e tij, që nga marrja e udhëheqjes dy vite më parë. Derisa po mundohet që t’i ofrojë përreth LDK-së partitë e djathta, ai vazhdon të mos mund t’i ofrojë degët e partisë së tij, që po thuaj në secilën komunë i ka të përçara. Një grup që mbështet Mustafën e grupi tjetër që mbështet ish-kreun e LDK-së, Fatmir Sejdiu

Me gjithë vullnetin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, për të hyrë sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme parlamentare, duket se rrethanat brenda dhe jashtë LDK-së nuk e favorizojnë aq shumë për një përballje elektorale, në një fazë të hershme.
Përveç se do t’i duhen përpjekje të mëdha për t’u afruar me partitë tjera opozitare, Mustafës paraprakisht do t’i duhej të merret me krijimin e një uniteti brenda partisë së tij, pasi që jo të gjithë zyrtarët lokalë të LDK-së e mbështesin deri në fund atë për kryeministër.
Bile ka të atillë që do të mund ta sabotonin fushatën e LDK-së në zgjedhjet nacionale, me qëllim të largimit të paralajmëruar të Mustafës nga kreu i LDK-së.
Një prej degëve që ka më së paku unitet rreth figurës së Mustafës, është ajo e Fushë Kosovës.
Në këtë degë, kryetari i Komunës nuk ka fort simpati për Isa Mustafën dhe angazhohet fuqishëm për rikthimin e Fatmir Sejdiut në krye të partisë.
Burime brenda kësaj dege të LDK-së kanë thënë për “Lajm” se, Burim Berisha nuk është kursyer nga kritikat e hapura për Mustafën, që në fillim të zgjedhjes së tij në krye të partisë, gjë që ka ndikuar në krijimin e dy blloqeve brenda kësaj dege.
“Berisha haptas është kundër Isa Mustafës dhe me influencën e tij do të mund të dëmtonte votat që LDK-ja do të mund të marrë në Fushë Kosovë në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë një zyrtar i lartë në degën e LDK-së në Fushë Kosovë.
Gjithsesi, vetë Burim Berisha, nuk ka pranuar të japë ndonjë deklaratë për medie lidhur me punën e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, duke drejtuar gishtin drejt kryetarit të Degës, Avdullah Prebreza.
“Nuk jam i interesuar të jap deklarata politike, po thirre kryetarin e degës Avdullah Prebreza”, ka thënë Berisha.

Lini një koment