Fishkëllehet presidentja në vënien e gurthemelit të xhamisë
Gjatë fjalimit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahajaga, me rastin e vënies së gurthemelit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë, një grup i të mbledhur ka protestuar duke fishkëllyer derisa ajo ka folur para të pranishmeve.
Një protestë e tillë, ndaj presidentes, besohet se është organizuar për shkak të deklaratave të Jahjagës muaj me parë rreth sheriatit. Në atë kohë, presidentja pati thënë se Sheriati është i prapambetur, ndërsa Kanunin e pati vlerësuar si të përparuar.
Ndaj kësaj proteste ka reaguar Bashkësia Islame.
Resul Rexhepi këshilltar në Bashkësisë Islame të Kosovës ka konfirmuar për ORAinfo.com se “një grup i vogël ka fishkëllyer gjatë fjalimit të presidentes me rastin e vënies së gurthemelit të Xhamisë në qendër të Prishtinës”.
Mirëpo, sipas tij, qëllimi i kësaj proteste dhe fishkëllimave nuk e kanë pasur shënjestër presidenten e vendit, por Bashkësinë Islame. “Kanë qenë një grup i vogël të cilët kanë fishkëllyer. Ne nuk kemi arritur t’i identifikojmë ata, por mund të them se ata nuk kanë të bëjnë me Bashkësinë Islame, ndërsa qëllimi i tyre ka qenë ta prishë këtë festë”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka shtuar se Bashkësia Islame nuk është në dijeni për qëllimet e këtij grupi dhe nga kush dirigjohet.
Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu ka konfirmuar për ORAinfo.com se ka pasur fishkëllima gjatë fjalimit të presidentes, mirëpo sipas tij, këtë e kanë bërë ‘vetëm disa individë’.
“Është dhe mendim dhe qëndrim i tyre i shprehur publikisht. Ne e respektojmë si liri dhe e drejtë qytetare. Argumentet janë çështje e përballjes së të vërtetave shkencore dhe historike dhe të cilat i vlerëson opinioni”, ka thënë Vllahiu.

