Kalo te lënda

Daci, preferon Ramushin para Isës për kryeministër

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci ka preferuar që në koalicionin e partive të djathta, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, të jetë i propozuari për kryeministër të vendit.

Daci ka thënë se sot në takimin që ka pasur me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ia ka bërë të qartë që mos të këmbëngul në postin e kryeministrit.

“I thash sot Mustafës që keni bërë gabim emotiv të bunkerizoheni në kërkesën që kryeministri ti takojë LDK-së, në fillim të bashkëpunimit. Unë jam për atë që të bëjmë një program të mirë dhe më pastaj të vendosim për këtë”, është shprehur Daci, në emisionin “Zona B” në Klan Kosova.

Ai ka treguar edhe për simpatinë që mbanë për Haradinajn. “Familja Haradinaj dhe Jashari kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në luftë. Në demokraci, Haradinaj më bindi që është një njeri shumë energjikë dhe me shumë disiplinë në punë, me prurjet e eksperteve që i bëri në AAK. Në 100-ditshin sa ka qenë Haradinaj kryeministër, ministrat e tij nuk kanë guxuar me llomotit, por ata është dashtë që të jenë në krye të detyrës”, është shprehur Daci.

Sipas tij, Haradinajt i është bërë një e padrejtë morale me Hagën dhe beson që ai të kthehet sa më shpejtë në Kosovë.

Daci në koalicionin parazgjedhor e ka ftuar edhe PDK-në. “Jam që të kemi një koalicion cilësor që do të punonte në të mirë të vendit”.

Daci në opozitë dhe në zgjedhjet e ardhshme e sheh Vetëvendosjen. “Vetëvendosje ka shumë pak përvojë parlamentare ose vullnet parlamentar”, është shprehur Daci.

Lini një koment