Kalo te lënda

Arrestohet grevisti, i vuri flakën kolegut Ndreca (Video)

Policia e Tiranës ka shoqëruar ish-të përndjekurin, Pal Shqefni, pas incidentit të përfshirjes nga flakët të ish-të përndjekurit tjetër Gjergj Ndreca, raporton ABCnews.
Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites në rrugën “Komuna e Parisit” në kryeqytet, ku zhvillohet greva e ish-të përndjekurve. Sipas policisë ka prova dhe filmime që tregojnë qartas se zjarri Ndrecës, i është vënë nga shoku i tij Shqefni.

Ky i fundit është shoqëruar në polici me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Gjergj Ndreca ndodhet për kurim në repartin e djegie-plastikës në spitalin numër 2 të Qendrës spitalore ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.

Burimet nga ky spital pranuan se gjendja ishte e rëndë, por plotësisht jashtë rrezikut për jetën.

Në të njëjtin spital u shtrua edhe grevisti Llazi Koçi, i cili pësoi gjendje të fikti në momentin e ndezjes së flakëve në trupin e Gjergj Ndrecës.

Ish i burgosuri politik i vë flakën vetes

Një nga ish-të burgosurit politikë, Gjergj Ndreca, ndër organizatorët kryesorë të grevës së urisë, i ka vënë flakën vetes në tentativë për t’u vetëflijuar.

Ndreca ka vendosur të ndërmarrë aktin e vetëflijimit në gjendje të dëshpëruar. Ndreca mësohet se i ka vënë flakën vetes me benzinë, ndërkohë që grevistët e tjerë kanë ndërhyrë për të shuar flakët. Mësohet se në tentativë për të shuar flakët, grevistit Llazi Koçi, i ka rënë të fikët.

Ish të burgosurit politikë janë dërguar menjëherë në repartin e djegieve në QSUT me makina të rastit, ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë.

Ata kanë nisur një grevë urie që prej mbrëmjes së 22 shtatorit dhe kërkojnë nga qeveria mbajtjen e premtimeve për shpërndarjen e dëmshpërblimin të viteve të burgut.

Protestë para Kuvendit

Ish të burgosurit politikë protestuan para Kryesisë së Kuvendit në mbështetje të grevës së urisë së të përndjekurve politikë, që ka mbërritur në ditën e shtatëmbëdhjetë. Ata i kërkuan qeverisë t’i japë fund indiferentizmit dhe të zgjidhë sa më shpejt kërkesat e të përndjekurve politikë.

Sipas kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Skender Tufa është pikërisht indiferentizmi i shtetit që çoi në vetëflijimin e kolegut të tij Gjergj Ndreca.

Tufa paralajmëroi se protestat do të përshkallëzohen, si dhe u bëri thirrje mbështetësve të të përndjekurve politikë të protestojnë çdo të hënë para Kryesisë së Kuvendit dhe çdo të enjte para parlamentit deri sa shteti t’i japë zgjidhje çështjes së të përndjekurve politikë. Për të mbajtur situatën nën kontroll, të pranishëm në protestë ishin forca të shumta policie. (TCH)
http://www.youtube.com/watch?feature=player_embedded&v=QyAsHYXqFCA

Lini një koment