Kalo te lënda

Selim Reka në krye të LDK-së në Kaqanik

Selim Reka, gjeograf me profesion, është zgjidhur kryetar i ri i Degës të LDK-së të Kaçanikut në kuvendin e jashtëzakonshëm elektoral të këtij subjekti politik, sot.

Reka është zgjidhur pa kundërkandidatë, ndërsa me vota të hapta njëzëri është promovuar në postin partiak që deri tashti e ka mbajtur Lutfi Zharku.

Njëzëri është votuar edhe Kryesia e re 15-anëtarëshe e Degës në të cilën janë përfshirë vetëm 3 anëtarë të asaj të deritashmes (Selim Reka, Fevzi Dogani dhe Agron Shurdhani).

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në LDK-në e Kaçanikut janë shpallur pas fiaskos së kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Kaçanikut të mbajtura sivjet, më 17 qershor. Në zgjedhjet e sipërpërmendura, kandidati i LDK-së Sahit Bela i pati fituar vetëm 5,57% të votave.

“Unë dhe Kryesia e re do të punojmë fuqishëm për t’ia rikthyer LDK-së elektoratin në Kaçanik”, ka deklaruar Reka pas zgjidhjes kryetar, raporton koha.

Ringritjen e Degës në Kaçanik e ka kërkuar edhe Teuta Sahatqija, nënkryetare e LDK-së.

“Strukturat e reja udhëheqëse do të punojnë për revitalizimin e Degës së LDK-së në Kaçanik”, ka theksuar ajo. Në këtë kontekst, Sahatqija ka lënë të kuptohet se ringritja e LDK-së në Kaçanik duhet të ndodhë edhe për të kontribuar për ndryshime në qeverisjen në Kaçanik dhe në nivel vendi në zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare.

“Po shihet se PDK-ja dhe Hashim Thaçi janë të aftë të punojnë për çdo gjë tjetër, por jo për interesat e Kosovës. Me LDK-në në pushtet vendit do t’i kthehen vlerat e munguara”, ka thënë Sahatqija. Fjala i është dhënë edhe Hebib Shehut, kryetar nderi i LDK-së të Kaçanikut, i cili udhëheqjen e deritashme të Degës e ka cilësuar strukturë që ka punuar për interesa personale dhe për realizim ambiciesh karrieriste të disa prej anëtarëve të saj.

“Uroj që Kryesia e re e Degës të mos i përsërisë gabimet e së vjetrës”, ka theksuar Shehu./Indeksonline/

Lini një koment