Kalo te lënda

Mos e pranoni planin e Brukselit për veriun

Diplomatët amerikanë e kanë paralajmëruar Qeverinë e Kosovës, për planin që Brukseli është duke e përgatitur për veriun e vendit, për të cilin vetë amerikanët janë kundër.

Është ky një plan që do t’i ofrohet Prishtinës në bisedimet e radhës politike me Beogradin, me anë të të cilit veriut i ofrohet më shumë se Pakoja e Ahtisaarit, një lloj statusi special, modeli i së cilës është i ngjashëm me atë në Bosnje, si “Republika Srpska”. Kështu ka thënë për “Zërin”, një burim brenda Qeverisë së Kosovës.

“Amerikanët kanë kërkuar nga ne që të mos pranojmë një plan të tillë”, thotë ky zyrtar i lartë në Qeveri.

E kontaktuar lidhur me këtë çështje, kryesuesja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se nuk e ka një informatë të tillë, prandaj edhe nuk ka dashur të japë koment.

E pyetur se nëse Qeverisë së Kosovës i ofrohet ky plan, cili do të jetë reagimi i saj, Tahiri tha se për këtë duhet pyetur direkt zyrën e kryeministrit. “Kjo pyetje duhet t”i bëhet drejtpërdrejt zyrës së kryeministrit”, tha shkurt Tahiri.

Ndërkaq, nga Brukseli nuk kanë dhënë informacione në lidhje me një plan të tillë. Maja Kocijançiq, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton, tha se të hënën do të shikojë nëse ka diçka lidhur me këtë.

“Nuk kam për momentin informata të tilla, por do të shikoj të hënën”, tha ajo, duke shtuar se Brukseli mbetet i përkushtuar për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe, opozita në Kosovë thotë se është vetë Qeveria e Kosovës ajo që ka faj për këtë, për shkak se ka dështuar të zbatojë planin e Ahtisaarit në veri.

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha se sikur Qeveria e Kosovës ta kryente punën e vet, nuk do të kishte nevojë që dikush tjetër të përgatiste plan për veriun.

“E nëse është e vërtetë kjo që amerikanët janë kundër planit për status special për veriun, është diçka shumë e mirë, sepse me përkrahjen e tyre edhe Qeveria Kosovës më lehtë do të mund të refuzojë një gjë të tillë”, tha Osmani.

Erzen Vraniqi, nga “Vetëvendosje”, tha se vetë gatishmëria për dialog me Serbinë, nënkupton gatishmëri për koncesione. “E duke pasur parasysh aspiratat e Serbisë, koncesionet s’kanë si dalin ndryshe, përveçse të bazuara në modelin boshnjak. Prandaj nuk bën assesi të shkohet në dialog me Serbinë pa kushte për të”, tha Vraniqi.

Analisti politik Behxhet Shala, në anën tjetër, thotë se dhënia e statusit special për veriun, nuk ka kurrfarë dyshimi që do të ndodhë, por ai nuk e beson se amerikanët janë kundër kësaj.

“Nuk e besoj se Brukseli mund të bëjë plane për veriun, pa u konsultuar me SHBA-të. Sidoqoftë, se veriut do t’i jepet statusi special nuk ka më dyshime. E kjo do të krijojë një situatë edhe më të keqe se në Bosnje”, tha Shala.

Sipas Shalës, kufijtë e Kosovës nuk do të preken, por do të ndodhë një ndarje e brendshme e saj. Nga ana tjetër, Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë, vazhdon të insistojë se ndarja e Kosovës është e vetmja zgjidhje.

Ai nuk e precizon se si e sheh këtë ndarje, si të brendshme apo me lëvizje të kufijve, por thotë se është zgjidhja e vetme.

“Vazhdoj të mendoj se kjo është zgjidhja më e shpejtë, më e mirë dhe më e drejtë, e cila është e pranueshme edhe për shqiptarët, edhe për serbët, sepse merr parasysh interesat e tyre legjitimë”, ka thënë Daçiq të shtunën, për media serbe.

I njëjti ka shtuar se dialogu mes Prishtinës e Beogradit duhet sa më parë të përfshijë edhe çështjet politike. BE nuk e konfirmon takimin e së mërkurës

Kryesuesi i ekipit negociator për dialog me Prishtinën, Dejan Paviqeviq, ka paralajmëruar se të mërkurën me përfaqësues të Prishtinës do të takohen në Bruksel, për të diskutuar lidhur me protokollin për menaxhimin e integruar të kufijve. Por, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Ashton-it, tha se nuk ka informata për këtë./Indeksonline/

Lini një koment