Kalo te lënda

LDK: Nuk shkohet në BE me arrestime spaktakolare

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se integrimi evropian i Kosovës nuk sigurohet përmes arrestimeve dhe burgosjeve, por me vende pune dhe qeverisje efektive.

Partia më e madhe opozitare në vend përmes një komunikate kërkon që të zbardhen krimet e pas luftës dhe të mos kërkohet të arrihen “kuotat” me arrestime të prezantuara me pompozitet.

“LDK rikujton qeverinë në largim se integrimi i Kosovës në BE nuk bëhet përmes rritjes së statistikave për arrestime dhe burgosje. Ky integrim arrihet përmes rritjes së punësimit, hapjes së bizneseve, rritjes së të ardhurave, cilësisë në arsim, investimeve etj. Vetëm përmes këtyre ndryshimeve mund të zvogëlohet numri i azilkërkuesve në vendet e BE-së, të cilët për shkak të gjendjes së mjerë ekonomike e sociale në vend po rrezikojnë integrimin e vendit drejt BE-së”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK -së spektaklet e shumta policore kanë për qëllim vetëm denigrimin e personaliteteve dhe kundërshtarëve politik. Këto veprime po e degradojnë procesin e integrimeve duke e cilësuar Kosovën si shtetin më policor dhe më të korruptuar në rajon.

Lini një koment