Kalo te lënda

Krasniqi në “luftë” me SHIK-un

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka “hapur luftë” në shumë fronte brenda partisë së tij, dhe atë kryesisht me anëtarë të ish – Shërbimit Informativ të Kosovës ( SHIK ).

Kështu vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve përçarjet nga pakënaqësitë e ndryshme brenda-përbrenda partisë së kryeministrit Hashim Thaçi së fundi nuk po mund të menaxhohen dhe të mbahen fshehtë nga opinioni, shkruan “Zëri”.

Në dy seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi është përplasur me deputetët e partisë së tij.Derisa ka folur kundër privatizimit, ai ka thënë se ky proces nuk mund të kalojë nëpër duart e atyre personave që kanë ardhur në Kuvend të Kosovës në saje të votave të vjedhura, ndërsa ka theksuar se legjislatura dhe ekzekutivi përbëhen nga personat e tillë.

Një ditë më vonë ai është përplasur me shefin e Grupit Parlamentar të PDKsë, Adem Grabovci, veprim ky që ka nxitur deputetët e kësaj partie që të largohen nga salla e Kuvendit.

“Kjo që po shohim ashiqare është një betejë e njerëzve të SHIK-ut dhe atyre që nuk janë në SHIK. Në veçanti kjo është një betejë në mes të njerëzve të Hashim Thaçit dhe atyre që pasojnë Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn” , thotë analisti Nexhmedin Spahiu.

Edhe analisti Ylli Hoxha mendon ngjashëm. Ai thotë se brendapërbrenda Grupit Parlamentar të PDK-së ekzistojnë pjesëtarë të SHIK-ut, me të cilët së fundi është përplasur publikisht parlamentari Krasniqi.

Lini një koment