Kalo te lënda

Gjermania nuk lëshon pe, Serbia mbetet pa datë për BE-në

Kërkesa që Serbia të nënshkruajë njëlloj marrëveshje apo memorandum me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve në mes tyre, mund të gjendet në raportin e Komisionit Evropian, i cili do të publikohet me 10 tetor, shkruan gazeta beogradase Blic, duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel.

Sipas këtyre burimeve, presioni gjerman që në dokumentin zyrtar të Komisionit Evropian të vendoset kushti i ri për Serbinë, lidhur me përparimin e mëtutjeshëm në integrimet evropiane, është rritur fuqishëm në kohë të fundit.

Konkluzionet, respektivisht rekomandimet e Komisionit Evropian, të cilat janë pjesë përbërëse e raporti vjetor për përparimin e Serbisë, ende nuk e kanë marrë formën përfundimtare, por burimet thonë se në koncept-dokument, me kërkesë të Gjermanisë, është futur obligimi që Serbia t’i normalizojë raportet me Kosovën me një marrëveshje në formë të shkruar, transmeton Zëri.

Në kabinetin e komisarit për zgjerim, Stefan Fule nuk e kanë konfirmuar, por as nuk e kanë demantuar futjen e kushtit të ri për Serbinë.

Sipas burimeve nga Brukseli, presioni në Komisionin Evropian ka ardhur pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, gjatë së cilës janë takuar presidenti serb Nikoliq dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton. Shkaku është, sipas këtyre burimeve, se presidenti serb dhe shefja e diplomacisë evropiane nuk kanë mundur të merren vesh lidhur me fillimin e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Beogradi, përkundër asaj që është pritur, është duke u hamendur t’i caktojë njerëzit që do të bisedojnë me Prishtinën. Përshtypja është se rreth tryezës së bisedimeve nuk dëshirojnë të ulen as kryeministri Daçiq e as presidenti Nikoliq dhe ata duan që gjithë çështjen ta hedhin në shumë ministra ose në shefa të autorizuar për bisedime teknike. Deklarata e fundit e Nikoliqit, se Serbia nuk do të ngutet për në BE dhe se ajo do t’i vë kushtet e veta, janë cilësuar si mungesë e dëshirës për të arritur marrëveshje për normalizimin e raporteve me Kosovën. Për këtë arsye Gjermania ka shtuar presionin që në dokument të futet kërkesa që Beogradi, si kusht për ta fituar datën e fillimit të bisedimeve për hyrje në BE, duhet të nënshkruajë njëlloj marrëveshje me Kosovën. Askush nuk është përcaktuar, nëse ajo do të jetë marrëveshje, memorandum, kontratë, apo ndonjë formë tjetër”, citohet të ketë thënë burimi nga Brukseli.

Parlamentarët e partisë së kancelares Angela Merkel ishin ata që në Beograd hapur kanë shfaqur idenë për nënshkrimin e një marrëveshje me Kosovën, si kusht që Serbia ta fitojë datën e bisedimeve për hyrje në BE.

Ndërkaq, sipas agjencisë serbe Tanjug Komisioni Evropian do “të hartojë raportin kur të konstatojë se Serbia ka përmbushur shkallën e domosdoshme të përputhshmërisë me kriteret që janë vendosur më 5 dhjetor 2011, veçmas ato lidhur me Kosovën”, thuhet në dokumentin intern të Komisionit Evropian, që do të prezantohet të mërkurën.

Kjo në praktikë do të thotë që Komisioni ka shtyrë rekomandimin që Serbisë t’i jepet data e bisedimeve për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE deri sa nuk arrihet “përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm në raport me Kosovën, që do t’iu mundësojë të dy vendeve të përparojnë drejt BE-së, duke i ikur bllokimit të ndërsjellë”, thuhet në dokument.

Lini një koment