Shqiptarët në prag të ëndrrës evropiane
Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ka thënë se shteti shqiptarë dhe qytetarët e saj, janë në prag të realizimit të ëndrrës evropiane, duke iu referuar marrjes së statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ka tri vjet që Rama pengon marrjen e statusit kandidat. Kërkon në shkëmbim qarkun e Fierit. I them Ramës të mos bllokojë se zgjedhjet po afrojnë. T’i japë alternativa shqiptarëve dhe të mos bllokojë”, është shprehur Berisha.
Kryeministri Berisha më tej u shpreh se qeveria do të bëjë gjithçka që Shqipëria të arrijë nivelin e vendeve të zhvilluara.
“Shqiptarët janë një ndër kombet më të lashta, por kemi pasur histori të vështirë. Ne do të ndërtojmë Evropën në vendin tone, por gjithçka kalon nga arsimi”, tha Berisha.
Berisha këto deklarata i bëri pas inaugurimi të një shkolle, me ç’rast i bëri thirrje opozitës që të votojnë ligjet për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Opozita duhet të votojë ligjet për statusin, të mos e përdorë votën e saj për bllokim”, tha ai, transmeton shekulli.