Kalo te lënda

Se pari zgjedhje lokale, pastaj nacionale

Tensionet në Partinë Demokratike të shpërfaqura edhe në Kuvend, nuk do të kenë kurrfarë reflektimi në zhvillimet politike të Kosovës, ka thënë të premten një zyrtar i lartë i Qeverisë. Sipas tij, këto zhvillime nuk do të prodhojnë zgjedhje të parakohshme nacionale.

“Zgjedhjet parlamentare nuk do të mbahen para atyre lokale”, ka thënë në kushte anonimiteti zyrtari qeveritar me funksion të lartë në PDK, subjekt ky që drejtohet nga kryeministri Hashim Thaçi. “Nuk ka asnjë arsye për zgjedhje të parakohshme. Situata është mirë e menaxhueshme në Kuvend dhe shumë më mirë e menaxhueshme në parti”.
Burime kanë treguar se njerëz të afërt me Thaçin kanë takuar Krasniqin të enjten, nga i cili kanë marrë garanci se ai nuk ka ndonjë agjendë personale që do të çonte në krijimin e ndonjë fraksioni brenda grupit parlamentar, e që eventualisht do t’i bëhej krah opozitës.
Po kështu, edhe se ai nuk do të tentojë të ndajë PDK-në pas finales së procesit zgjedhor brendapartiak. Megjithëkëtë, sipas burimeve, Krasniqi nuk ka dhënë ndonjë garanci se do të ndryshojë diskursin karshi Qeverisë.
Krahas problemeve të brendshme, PDK-ja pritet të përballet me situatën kur Behgjet Pacolli, kryetar i subjektit më të madh partner në koalicion, KKR-së, të detyrohet të japë dorëheqje, nëse EULEX-i ngre aktakuzë ndaj tij, shkruan Koha Ditore.
Pacolli, që është zëvendëskryeministër, po hetohet për falsifikim dokumentesh në tentimin për t’ia fshehur Agjencisë Antikorrupsion një konflikt interesi.
Zyrtari i lartë qeveritar që ka folur për gazetën në kushte anonimiteti, ka treguar se gjatë ditës për zhvillimet e fundit ka folur Thaçi, Mustafa dhe Blerim Shala, nënkryetar i parë i AAK-së.

Lini një koment