LDK, ofertë të ‘djathtëve’ për ta rrëzuar Qeverinë Thaçi
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke filluar nga java e ardhshme do të fillojë bisedat siç kanë thënë ata, me partitë e qendrës së djathtë për të arritur ndonjë marrëveshje të mundshme koalicioni me këto parti.
Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se ofertën për koalicion parazgjedhor do t’ua bëjnë LDD-së, AAK-së, AKR-së, Partisë Demokristiane, si dhe partive tjera që janë të orientuara nga qendra e djathtë. Ai ka thënë se në këtë ofertë dyert e hapura do t’i kenë edhe Lista Ibrahim Rugova.
Beqiri në emisionin Interaktiv të KTV-së ka thënë se javën e ardhshme këto bisedime fillimisht do ti fillojnë me Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD).
“Kjo do të jetë ofertë për t’i fituar zgjedhje, jo vetëm LDK-ja por të gjitha paritë e qendrës së djathtë, për të heq këtë qeveri të keqe. Ne do të përgatitemi ti fitojmë zgjedhjet kurdo që mbahen ato, nëse respektohet marrëveshja do të ishte dashur të mbaheshin vitin e ardhshëm”, është shprehur Beqiri.
Ai ka thënë se PDK asnjë nuk ka qenë në pozitë më të ‘lodhtë’ se tani për të dalë në opozitë.