Gazetarët duhet të shikojnë përtej politikës ditore
Për ngjarjet në veri të Kosovës u tha se dihet pak, sepse gazetarët shqiptarë gati as që mund të kenë qasje në atë pjesë të Kosovës, kurse gazetarët e Serbisë shpesh hasin në probleme në punë, sepse e kanë vështirë të gjejnë bashkëbisedues.
Të raportuarit e mediumeve në Serbi dhe në Kosovë “për bisedat teknike” midis Beogradit e Prishtinës kryesisht janë protokollare, të bazuara në transmetimin e kumtesave dhe të deklaratave, pa e analizuar situatën dhe pa marrëveshje. Epilogu është që qytetarët dinë shumë pak për dialogun dhe për zbatimin e asaj për çka është rënë dakord, u tha në diskutimit e më shumë se 20 gazetarëve nga Serbia dhe nga Kosova, që u mbajt më 28 e 29 shtator në Prishtinë, në kuadër të projektit të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
“Të raportuarit për dialogun në mediumet e Kosovës është bërë pa analizë të thelluar. Asnjëra palë nuk i ka kumtuar të gjitha detajet, por kanë ofruar informata që atyre u shkojnë në favor. Dhe pastaj ndodh që këtu, për shembull, askush nuk e di se në Serbi me dokumentet të Kosovës mund të hyhet vetëm në dy prej tetë kalimeve – në Merdar dhe në kalimin Dheu i Bardhë te Konçuli. Këtë qytetarët nuk e kanë ditur, por as unë si gazetar, i cili shpesh udhëtoj për në Serbi”, ka theksuar Muhamet Hajrullahu, gazetar i BIRN-it.
Korrespondenti i agjencisë “Sense”, Nemanja Stjepanoviq, tha se mediumet në Serbi nuk po lëvizin nga binari që e ka caktuar shteti: “Secila marrëveshje në dialog është paraqitur si fitore e Serbisë, e jo si hap për normalizimin e marrëdhënieve”.
“Në mediumet e Kosovës ka ekzistuar një dozë e vetëcensurës, nuk është hyrë më thellë në analizë, nuk është ofruar konteksti. Mediat raportojnë për dialog siç kanë raportuar për Olimpiadë – secili flet për “lojtarin” e vet dhe e favorizon atë. Askush nga mediat dhe nga shoqëria civile nuk ka kërkuar që dialogu të jetë i hapur për opinion. Epilogu është konfuzioni midis qytetarëve”, tha Shpend Qamili, bashkëpunëtor i Nismës së të Rinjve.
Dushan Llopushina, nga Serbia tha se edhe mediat në Serbi, me rastin e raportimit për dialog, janë mbështetur në një numër të vogël të korrespondentëve, lajmeve të agjencive dhe në kumtesa të BE. “Edhe kur në media është bërë analiza e bisedave, bashkëbiseduesit e gazetarëve kryesisht kanë qenë përfaqësues të institucioneve. Të raportuarit për temat e rëndësishme për marrëdhëniet e dy shoqërive shpesh janë bërë nga pozitat e përcaktuara për “ne” dhe për “ata”.
Gazetarja e së përditshmes “Dnevnik” të Novi Sadit , Branisllava Opranoviq konsideron se gjuha e urrejtjes në media është shumë më pak e pranishme, por që informata të vërteta për ngjarjet në Kosovë nuk ka, përveç lajmeve të agjencive. “Nuk ka informata se si jetojnë njerëzit në Prishtinë, se ata nuk janë përbindësha.
“Vij nga veriu i Mitrovicës, ku as shqiptarët as serbët nuk dinë se çfarë po ndodh dhe për çfarë po flitet në dialog. Për këtë, qytetarët fajësojnë edhe mediat e Kosovës edhe ato të Serbisë. Nuk dihet se për çfarë kanë rënë dakord, cilat të drejta të reja i kanë fituar qytetarët. Një nga burimet e rralla të informatave nga veriu i Mitrovicës është TV Most, por ky televizion është subjektiv”, tha Fatmir Stavileci, gazetar i portalit “Gazeta shqip”.
“Shpesh kolegët më pyesin pse po shkojmë në Kosovë, a s’është rrezik. Kemi dërguar raport nga Kamenica, ku serbët dhe shqiptarët bëjnë tregti njëri me tjetrin. Reagimet në Novi Sad kanë qenë mjaft të fuqishme, njerëzit vëzhgimet i kanë shikuar me habi, sepse vetëm një numër i vogël i tyre e di se si jetohet në Kosovë. As gazetarët shpesh nuk dinë shumë për këtë. Udhëheqësit e institucioneve të mediave duhet të kenë më shumë sens dhe guxim që të bëjnë të mundur të raportuarit. Nga ana tjetër, njerëzit në veri të Kosovës zakonisht nuk janë të disponuar për të biseduar me mediat, kërkohet që të mos incizohet. Disa xhirues janë sulmuar fizikisht në veri të Kosovës”, ka thënë Marina Fratucan, gazetare e RTV “Vojvodina”.
“Kur bëhet fjalë për raportimin nga barrikadat, ajo në Serbi gjithnjë ka pasur karakter patriotik, për barrikadat raportohet si shfryrje e vetorganizuar e patriotizmit të popullit duarthatë, si dikur në Knin, ashtu dhe tani, dhe pastaj kur vini këtu e shihni se njerëzit nuk janë as të vetorganizuar as duarthatë, dhe se për kujdestari në barrikada marrin mëditje”, tha Stjepanoviq.
“Në Mitrovicë i vetmi vend nga i cili mund të raportohet është ura që ndan qytetin në pjesën e shqiptarëve dhe në pjesën e serbëve. Kur shkoj vetëm në veri, i heq targat e Kosovës dhe hyj nëpër rrugët alternative”, tha Hajrullahu dhe shtoi: “Nëse ne nuk ndërmarrim asgjë kundër stereotipeve, politikanët nuk do të bëjnë asgjë. Duhet të shkojmë para tyre, barrierave të stereotipeve dhe gjuhës së urrejtjes”. Projekti “Gazetarët këtë mund ta bëjnë” është realizuar me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës dhe të fondacionit “Robert Bosch”.