Kalo te lënda

Gaxherri nuk mohon shkrirjen e LDD-së në LDK

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Besa Gaxherri, ka konfirmuar se gjatë javës së ardhshme pritet që kreu i kësaj partie, Nexhat Daci të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa.

Qëllimi i këtij takimi do të jetë diskutimi i ftesës së LDK-së për t’u bashkuar në një koalicion parazgjedhor partitë e qendrës së djathtë.

Gaxherri për ORAinfo.com ka mirëpritur ftesën e LDK-së për një takim në mes këtyre dy subjekteve.

“Unë dje kam vu kontaktet e para jo formale me përfaqësuesit e LDK-së dhe javën e ardhshme pritet të ketë takime edhe zyrtarisht në mes të këtyre dy subjekteve”, është shprehur Gaxherri.

Ajo ka thënë se LDD edhe më herët para zgjedhjeve të kaluara, e ka bërë një ftesë të tillë për koalicion.

Gaxherri beson se nëse ftesa e LDK-së për një bashkëpunim të tillë është serioze, atëherë një bashkëpunim i tillë edhe mund të arrihet.

Gaxherri nuk e ka mohuar mundësinë edhe të shkrirjes së LDD-së në LDK.

“Ne ende nuk kemi biseduar brenda partisë se a do të shkrihemi në LDK, apo do të bëjmë koalicion dhe nuk dua të paragjykoj për këtë çështje” ka theksuar Gaxherri.

Lini një koment