Buzhala: Krasniqi ka koncepte të turbullta
Deputeti i PDK-së Berat Buzhala, thotë se kreu i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi nuk i ka të qarta konceptet e veta. “Jakup Krasniqi nuk i ka të qarta konceptet e privatizimit për atë edhe ka dhënë deklarata të tilla”, ka thënë Buzhala për gazetën Zëri.
Sipas tij, privatizimi do të vazhdojë dhe jo vetëm i PTK-së por i të gjitha ndërmarrjeve të tjera publike. “Absolutisht se privatizimi duhet të vazhdojë, jo vetëm i Postës dhe Telekomit të Kosovës por edhe i ndërmarrjeve tjera”, ka thënë Buzhala. Mos-hedhjen në votim të mocionit kundër privatizimit nga opozita në seancën e së enjtes, Buzhala e ka quajtur pasiguri të tyre të cilët sipas tij kanë pasur frikë se do të humbin. “Opozita hoqi dorë në moment të fundit nga votimi i mocionit, sepse e panë të qartë se janë humbës”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se Grupi Parlamentar i Berat Buzhalës dhe qeveria e tyre janë ata që ikën nga seanca e së enjtes e jo opozita.
“Mendoj që kjo deklaratë e tij është vetëpërgënjeshtruese, siç është edhe goja që e tha atë, pra Berat Buzhala. Ne kemi kërkuar që mocioni i përbashkët i tri grupeve parlamentare të votohet dje pas debatit. Ky mocion bënte thirrje për pezullimin e procesit të privatizimit dhe që Kuvendi të jetë instanca e fundit vendimmarrëse për privatizimin e pronës publike. Votimin e mocionit nuk e lejoi kryetari i Kuvendit për shkak se ishte në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij debati i zhvilluar në Kuvend për privatizimin e paraqet më së miri procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike. “Shumica dërrmuese e deputetëve që diskutuan dje ishin kundër këtij privatizimi abuziv që po e zbaton Qeveria. Natyrisht që mocioni që del nga një debat i tillë do të duhej ta reflektonte këtë debat dhe këto qëndrime. Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për sa i përket privatizimit. Rrjedhimisht Qeveria nuk ka të drejtë të ndërmarrë asnjë hap tutje në këtë proces”, ka thënë ai.
Sa i përket qëndrimit të Krasniqit karshi privatizimit, Ymeri ka thënë se është obligim i secilit zyrtar që e kupton pozicionin e vet në shërbim të vendit dhe të popullit të veprojë njëjtë. “Në këtë drejtim është absolutisht normale që edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës të jetë në shërbim të Kosovës dhe të popullit të saj”, ka thënë Ymeri.
Eksperti ekonomik, Lumir Abdixhiku ndonëse nuk është kundër privatizimit ka thënë se ky proces çfarë po ndodh tani duhet të ndalet. “Është proces i cili nuk është pjesë e një strategjie zhvillimore ekonomike por është një proces i cili nuk përgjigjet në pyetjet themelore se kur duhet privatizuar, pse duhet privatizuar dhe si. Tani në këtë kohë është e udhës që Kosova të ndërpresë këtë privatizim, të bëjë një strategji nacionale, të rrisë vlerën e aseteve dhe më pas t’i privatizojë ato”, ka thënë Abdixhiku.
Zërat kundërshtues të privatizimit brenda PDK-së, Abdixhiku i ka quajtur si të shëndosha pasi që sipas tij kështu do të duhej të debatohej në çdo proces madhor për vendin. “Për herë të parë ne kemi njëfarë gare të mendimeve që nuk bën dallim politik, kemi pozitë dhe opozitë që flasin për një qëllim në interes madhor për vendin”, ka thënë ai.
OEK: Procesi duhet të vazhdojë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, akuzat e fundit rreth privatizimit i ka quajtur më shumë promovim të ideologjive të ndryshme dhe këndvështrime politike drejtë privatizimit se sa vërtet substancë se si t’i qasemi këtij procesi. “Nuk shkon në favor të promovimit të realitetit ekonomik procesi i stopuar por përkundrazi duhet të bëhet më tepër që krahas sundimit të rendit dhe ligjit, krahas transparencës ky proces të vazhdojë dhe nga ky të arrihen qëllimet të cilat edhe e kanë filluar këtë proces”, ka thënë ai./standardi.info