Alternativa e Vetëvendosje!-s për Politikat Sociale
Të shtunën Lëvizja Vetëvendosje! prezantoi Alternativën qeverisëse në lidhje me Politikat Sociale. Prezantimi u bë nga Faton Topalli drejtues i Komitetit për Mbrojtje Sociale, dhe Armend Shkoza, anëtar i këtij komiteti.
Në prezantim u paraqit gjendja aktuale sociale e Kosovës, ku u theksua se Kosova është vendi më i varfër në Evropë dhe 45% e popullsisë jeton në varfëri me më pak se 1.42 € në ditë. Ndërkohë që 17% e popullsisë jeton në varfëri ekstreme me më pak se 0.93 € në ditë. Ndërmarrjet në Kosovë vetëm 10% e tyre prodhojmë. Papunësia vlerësohet mbi 45% , ndërsa shëndetësia dhe Arsimi Publik po rrënohen çdo ditë e më shumë. Pensionet, Ndihma Sociale dhe Strehimi, për shtresat e varfra të shoqërisë, nuk plotësojnë as nevojat jetike. E po ashtu mungon regjistrimi i saktë, e në këtë mënyrë qeveria mbulon vjedhjen dhe mospunën. Në përgjithësi mungon koncepti qeverisës për politikat sociale, dhe çështjet e mirëqenies sociale nga qeveria trajtohen si lëmoshë, jo si përgjegjësi kolektive. Po ashtu legjislacioni nuk reflekton situatën në shoqëri, është kryesisht i kopjuar apo i përkthyer. Mungojnë skemat e sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe të papunësisë. Politika fiskale është politikë antisociale, sepse 90% e buxhetit vjen nga shtresa e varfër dhe e mesme e shoqërisë. Si e tillë gjendja është alarmante ndërkohë që varfëria e papunësia po rriten.
Alternativa qeverisëse e Vetëvendosje!s
Koncepti, Parimet, Qëllimet
Mirëqenia Sociale nuk matet vetëm me kriteret makroekonomikë si PBB, mesatarja e të ardhurave për frymë, rritja ekonomike, apo rritja e rrogës, etj. Mirëqenia Sociale është përmbushja e standardeve minimale për jetën e secilit qytetar në ushqim dhe ujë të pijshëm, higjienë dhe shëndet, strehim dhe ngrohje, siguri e integritetit fizik, arsim dhe rekreacion, punësim dhe mbrojtje e të papunëve.
Alternativa jonë e vendos njeriun në qendër. Çdo njeri, gjithmonë, është i regjistruar, së bashku me rrethanat e tij ekonomike e sociale. Shteti duhet të garantojë standardet minimale të mirëqenies për këdo, pavarësisht statusit ekonomik, social, gjinor, etno-kulturor, fetar etj. Skemat e mbrojtjes sociale organizojnë rishpërndarje të të mirave sipas parimeve të barazisë dhe transparencës. Për secilin problem social, dikush mban përgjegjësi (jo pësuesi). Ndihma sociale dhe solidariteti janë detyrë e një shoqërie të organizuar, jo lëmoshë.
Sigurimet Shoqërore dhe Shërbimet Sociale
Sigurimet shoqërore do të synojnë sigurimin e pasojave ekonomike të pleqërisë, invaliditetit, sëmundjeve, fatkeqësive, papunësisë, shtatzënisë, të mbeturit jetim, të mbeturit e/i vejë. Sigurimet shëndetësore dhe ato pensionale e fillojnë implementimin në mandatin e parë qeverisës. Në Kosovë nuk ka pasur iniciativa për Sigurime Shoqërore, por vetëm skema. Kjo i jep vetëm kuptim formal, jo përmbajtësor ndihmës, e kthen atë në lëmoshë për shfrytëzim elektoral. Sistemi aktual i Skemave Sociale i bën gjithë përfituesit të varfër, nuk e ka të rregulluar çështjen e financimit dhe ngarkon pjesërisht pa nevojë buxhetin e Kosovës.
Ndryshimi i situatës aktuale kërkon ndryshim rrënjësor të konceptit qeverisës. Kërkon pra, rritje të punësimit, që do të thotë rritje të kontribuuesve dhe ulje të numrit të personave që kanë nevojë për ndihmë. Krijimin e sigurimeve shoqërore, që shërbimet të jenë financiarisht të garantuara, që ndihma të jetë e drejtë, jo lëmoshë.
Përgjithësisht ato që quhen sot shërbime sociale na paraqiten si iniciativa thjesht formale. VETËVENDOSJE! do t’i kthejë ato në shërbime sociale përmbajtësore. Më këtë kuptojmë përgatitje e kuadrove, hapja e programeve universitare për profile të punës sociale. Reformë legjislative, ligjet të përshtaten në raport me gjendjen dhe nevojat e këtushme. Implementim i ligjeve me përpikmëri dhe përgjegjësi nga çdo institucion përgjegjës. Mirëqeverisje dhe transparencë në secilën shkallë, që nga qendra e dikasterit e deri në ofruesin e shërbimit. Në këtë drejtim ne synojmë funksionalizim i Qendrave Sociale si dhe ndarjen e shërbimeve sipas grupeve (familje, fëmijë, të rinj, të moshuar etj.)
VETËVENDOSJE! synon dhe angazhohet që do të shtojë këto shërbimet Sociale: tre qendra të përkujdesjes për fëmijët (jetimët, fëmijët pa përkujdesje); Për të rinjtë me probleme ligjore, do të ndërtohen qendra rehabilituese të hapura, që do të kenë përparësi ndaj qendrave korrektuese aktuale (burgjeve); Qendrat e aftësimit profesional do të lidhen me industritë dhe punësuesit vendorë; Qendrat Sociale do të pajisen me ekipe të specializuara për trajtimin e problemeve në familje, dhe problemeve gjinore; Do të funksionalizohen pesë shtëpi të përkujdesjes për të moshuarit, që do t’i mbajnë ata të integruar në jetën shoqërore; Në bashkëpunim me MKRS, dhe me komunat, do të përcaktohet një fond për hapjen e tre Qendrave Socio-kulturore në secilën komunë, me ambiente të përshtatshme për aktivitete sociale, kulturore dhe sportive.
Mbrojtja Sociale dhe Politikat Fiskale dhe Financiare
Shteti i Mirëqenies zhvillohet njëkohësisht me Shtetin Zhvillimor. Ne besojmë se rritja e prodhimit sjell rritje të punësimit. Sistemi fiskal dhe Sigurimet Shoqërore janë financuesi kryesor i Politikave të Mbrojtjes Sociale. Tatimi në paga dhe tatimi në të hyra do të jetë progresiv, sipas parimit të drejtësisë sociale. Sa më shumë të ardhura personale, aq më shumë rritet tatimi. Në lidhje me TVSH, alternativa jonë propozon që të ndahet në nivele, sipas rekomandimeve të BE-së. Mallrat jetike, buka, vaji, kripa, sheqeri, mielli etj. do të jenë pa TVSH. Mallrat më luksoze do të rriten deri në 20%. Sigurimet Shoqërore në perspektivën e VETËVENDOSJE!-s janë të bazuara në parimin e solidaritetit. Vetëfinancimi konsiderohet komplementar. Do të themelohet fondi publik i Sigurimeve Pensionale, fondi publik i Sigurimeve Shëndetësore dhe fondi për të pastrehët. Po ashtu do të themelohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili koordinon implementimin e politikave të këtyre fondeve. Ky Institut themelohet prej Kuvendit të Republikës. Të gjitha Sigurimet Shoqërore do të mbahen në burim, dhe barra do të ndahet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Mbrojtja në Marrëdhëniet e Punës
Politika aktuale ka prodhuar vetëm papunësi ndërkohë që përqindja e popullsisë së aftë për punë në Kosovë është më e larta në rajon e më gjerë. Papunësia e lartë krijon paqëndrueshmëri dhe kushte presioni për ata që janë në punë. Institucionet shtetërore kanë legjislacion të papërshtatshëm për mbrojtjen e marrëdhënieve të punës, dhe atë që kanë nuk e zbatojnë. Mungojnë inspektimet e rregullta dhe masat ndëshkuese për punëdhënësit që nuk respektojnë të drejtat e punëtorëve. Rrënimi i gjyqësorit e bën të pamundur ose joefektive drejtësinë për punëtorët.
Programi zhvillimor i VETËVENDOSJE!-s hap mundësinë për rritje të sektorëve prodhues e industrialë, duke ulur papunësinë. Në këtë pikëpamje rritja e punësimit do të shoqërohet me mbrojtjen e punëtorit, që nis me ndryshimin e Ligjit të Punës në këto pika:
Garantimi i pushimit të lehonisë, 12 muaj me pagë të plotë (ndarë mes punëdhënësit dhe shtetit); Orari i plotë i punës modeluar në dy kohëzgjatje, 35 dhe 40 orë në javë. 40 orë është maksimumi i kohëzgjatjes, puna shtesë nuk mund të jetë më shumë se 5 orë në javë; Pagesa e dy pagave në përfundimin e marrëdhënies së punës kur skadon kontrata e punës; Nivelizimi i pagave sipas rrezikshmërisë së punës, deri në 20% shtesë; Nivelizimi i pagave sipas vjetërsisë, për çdo 5 vjet përvojë, minimalisht 5% rritje të pagës; Indeksimi vjetor i pagës sipas inflacionit, minimumi 0.5% e pagës; Subvencionim dinamik tatimor për hapjen e vendeve të reja të punës për shmangien e informalitetit.
Propozimi ynë për vendet e reja të punës që hapen nga bizneset është:
1 deri në 10 të punësuar, 1% lirim në tatime;11 deri në 50 të punësuar, 0.5% lirim në tatime; 51 deri në 200 të punësuar, 0.3% lirim në tatime; Mbi 200 të punësuar, 0.1% lirim në tatime;
Ndryshim i ligjit për organizimin sindikal
Për çdo ndërmarrje të mesme e të madhe, nëse sindikata anëtarëson mbi 60% të punëtorëve, detyrimisht anëtarësohet dhe pjesa tjetër në të njëjtën sindikatë. Ne synojmë dhe do të realizojnë mbrojtje të veçantë për të punësuarit që merren me aktivitet sindikal. Do të sanksionojmë me ligj që ndërhyrja e punëdhënësit në të drejtat sindikale të konsiderohet shkelje penale.
Politikat strehimi
Themelimi i Fondit për të pastrehët, i cili ka për detyrë të menaxhojë implementojë politikat e strehimit, nëpërmjet krijimit të kuadrit ligjor. Ky Fond financohet nga një tatim në burim të të ardhurave i përcaktuar me ligj si dhe nga donacionet vullnetare. Fondi regjistron sipas kategorive qytetarët në nevojë për strehim. Fondi koordinon punën me komunat, për ndërtimin e banesave publike. Këto banesa shpërndahen sipas prioritetit të nevojave. Ky fond do të funksionalizohet brenda vitit të tretë të mandatit të parë qeverisës. Mbrojtja e qiramarrësit nga arbitrariteti i qiradhënësit duhet të garantohet me ligj. Shtëpitë e pabanuara do të taksohen, me qëllim inkurajimin e dhënies me qira, apo të shitjes, gjë që çon në rregullimin e tregut të banimit.
6 tetor 2012 Komiteti për mbrojtje sociale Lëvizja VETËVENDOSJE!