Kalo te lënda

VV: Qeveria rriti pensionet ‘për një bukë më shumë’

Vendosja e një sistemi pensional të qëndrueshëm, solidar, të integruar dhe të barabartë që garanton pensione stabile dhe të mjaftueshme për gjeneratat e ardhshme por në të njëjtën kohë përkujdeset për pensionistët ekzistues, është i domosdoshëm për Kosovën, thuhet në një kumtesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës është në kundërshti të plotë me këtë, sepse është vendim i cili nuk i trajton pensionistët dhe problemin e sistemit pensional.  Për më shumë rritja e deklaruar, e që në përqindje duket e madhe përkthehet vetëm në rritje prej 0.50 cent në ditë. Qeveria konkretisht është siguruar që pensionistët të kenë mundësi vetëm për një bukë më shumë në ditë.

Ky sistem pensional i vendosur në Kosovë në vitin 2002 ka bërë një prerje të menjëhershme në mes dy formave të rregullimit të sistemit pensional, pra duke bërë një tranzicion të padrejtë nga sistemi i gjeneratave në atë të vetëfinancimit, duke lënë anash një gjeneratë të tërë të pensionistëve ekzistues të cilët kanë kontribuar.

Vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës e vazhdon të njëjtin avaz.  Vendimi për “rritjen” e pensioneve nuk vjen së bashku me një Ligj të mirëfilltë për sigurime pensionale dhe invalidore. Vetëm sigurimi më një ligj të drejtë do të qartësonte statusin e pensionistëve dhe do garantonte të drejtat e tyre.  Edhe ky vendim sikurse reformimi i sistemit pensional niset nga premisa që e konsideron pensionin si lëmoshë e jo pensionin si të drejtë.

Qëllimi i kësaj Qeverie nuk është reformimi i sistemit pensional, por shpërqendrimi dhe shtyrja e problemeve.  Qeveria aktuale sa herë është situatë ku shpërfaqet qartazi pazotësia e saj, bën hapa të këtij lloji, hapa që nuk zgjidhin problemin, por që shpërqendrojnë vëmendjen. Vendimi ad hoc i Qeverisë vjen si rrjedhojë e situatës së pashpresë në të cilin gjendet ky kabinet qeveritar pas dështimeve të njëpasnjëshme.

Çka nevojitet në fakt është sistemi pensional i cili do gjeneronte kursime nacionale të mjaftueshme, do të përkujdesej për pensionistët ekzistues me krijimin e shtyllës së parë duke krijuar një periudhë tranzitore prej një forme pensionale në tjetrën me ç’rast pensioni minimal do ishte në nivel të 60% të pagës mesatare në Kosovë e cila është një e drejtë që i takon secilit pensionist, përfundon kumtesa.

Lini një koment