Kalo te lënda

Procesi gjyqësor për vrasjen e civilëve nga Kosova pa epilog

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve për krime të luftës ndaj gjashtë civilëve të Kosovës në vitin 1999 në vendin e quajtur Kalugjerski Laz pas tri vjetësh si duket sërish do të nisë nga e para, pasi gjykatësi i lëndës ka dhënë dorëheqje.

Në pranverë të vitit 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s pjesëtarët e Ushtrisë së Jugosllavisë hapën zjarr ndaj civilëve të paarmatosur shqiptarë të Kosovës në kufi me Malin e Zi, dhe sipas aktakuzës vranë gjashtë prej tyre.

Procesi gjyqësor për këtë krim të luftës filloi në mars të vitit 2009, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë ende nuk është marrë.

Për krimin është akuzuar koloneli Predrag Strugar dhe shtatë ushtarë të cilët pasi ishin dorëzuar vullnetarisht, tri vjet i kaluan në paraburgim dhe pastaj janë lënë të lirë.

I akuzuar i parë Strugar është dënuar në mungesë. Tash vonë si shtetas i Serbisë i është dorëzuar Malit të Zi dhe aktualisht gjendet në paraburgim.

Avokati i familjeve të viktimave, Velija Muric thotë se vendi mi i gjykatësit Drago Konatar që pas tri vjetësh të braktisë procesin gjyqësor për krime të luftës në Kalugjerski Laz është rrethanë e keqe që tashmë është parë në gjyqësinë malazeze kur bëhet fjalë edhe për proceset e tjera për krime të luftës.

“Gjyqësia malazeze ende nuk ka marrë guximin që në bankat e akuzuarve të nxjerrë ata njerëz që janë përgjegjës për atë kohë”, tha avokati Muric për REL, që e transmeton QIK-u, duke shprehur bindjen se të gjitha ato gjykime dhe ngjarje janë shumë të politizuara. /Telegrafi/

Lini një koment