Kalo te lënda

Pacolli nuk mendon për dorëheqje

Imazhi i Kosovës dhe perceptimi i njerëzve për politikanët, janë dy nga arsyet për të cilat raportuesja për Kosovën në PE, Ulrike Lunacek, thotë se Behgjet Pacolli duhet të japë dorëheqje, që t’i hapë rrugë hetimeve ndaj tij. Në anën tjetër, Jetlir Zyberaj, këshilltar i Pacollit, ka thënë se zëvendëskryeministri çdoherë ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me organet e rendit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, duke iu referuar rastit të hetimit ndaj zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli nga prokuroria e EUELX-it, ka thënë se dorëheqja e tij do të përmirësonte imazhin e Kosovës dhe perceptimin e njerëzve për politikanët.
Sipas saj, aferat korruptive që lidhen me politikën janë të shprehura edhe në vendet tjera jo vetëm në Kosovë, por sipas saj, politika nuk do të duhej të ishte një biznes i ndyrë.
“Nëse dikush akuzohet për krime të rënda, mendoj se dorëheqja do të ndihmonte shumë si për imazhin e Kosovës po ashtu edhe për vetë perceptimin që kanë qytetarët për politikanët. Politika nuk duhet të jetë një biznes i ndyrë, por ndonjëherë ashtu perceptohet nga njerëzit, sepse ndonjëherë ka afera korruptive në politikë dhe kjo jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë shtete të tjera, përfshirë edhe Austrinë, vendin tim”, ka thënë Lunacek në një konferencë për shtyp, që ka mbajtur të enjten në Prishtinë.
Por, ndryshe mendon Jetlir Zymberaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ai në një deklaratë për Gazetën “Lajm” nuk ka përmendur mundësinë e dorëheqjes së shefit të tij. Ai ka thënë që zëvendëskryeministri Pacolli ka denoncuar një rast korrupsioni dhe ka shprehur gatishmërinë e tij që në çdo kohë të bashkëpunojë me organet kompetente.

Lini një koment