Kalo te lënda

LDK mobilizohet për zgjedhje

Kreu i LDK-së Isa Mustafa ka mbajtur sot takim me krerët e degëve të partisë së tij për t’i konsultuar dhe njoftuar për përgatitjet që po bënë për zgjedhjet e reja. Mustafa paralajmëroi mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me AAK-në, AKR-në, LDD-në dhe demokristianët.

Lidhja Demokratike e Kosovës po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme që në Kosovë kurrë nuk dihet saktë se kur mbahen.
Lideri i partisë më të madhe opozitare ka mbledhur sot në një takim partiak të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së me të cilët ka diskutuar për zgjedhjet e ardhshme në vend duke paralajmëruar edhe mundësinë e krijimit të një koalicioni para zgjedhor me partitë “e djathta” për të synuar fitoren e zgjedhjeve dhe ardhjen në pushtet.
Pas këtij takimi me krerët e degëve të LDK-së, Mustafa deklaroi se në takim kanë diskutuar për mundësinë e ofrimit me partitë e tjera të djathta si AAK-në, AKR-në, LDD-në dhe Partinë Demokristiane.

 

“Kemi disponimin e plotë të LDK-së që të veproj si parti që tani e tutje të tuboj rreth vetës dhe bashkëpunoj shumë ngushtë me partitë e qendrës së djathtë, duke nënkuptuar se ato parti kanë ndarë ose ndajnë opinione të njëjta politike me LDK-në, përfshirë LDD, AKR, AAK, partinë demokristiane dhe partitë e tjerë me të cilat ne do të intensifikojmë bashkëpunimin dhe të ofrojmë mundësinë që të ofrohen në boshtin e LDK-së dhe të veprojmë bashkërisht në zgjedhjet e ardhshme për të krijuar një qeverisje shumë më të mirë se sa po bëhet sot në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Megjithëse këto tema në LDK po diskutohen pikërisht në ditët e krizës politike në vend, Mustafa tha se nuk bëhet fjalë për mobilizim të partisë së tij për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Ai tha se këto përgatitje po bëhen për ti fituar zgjedhjet e ardhshme dhe për të qeverisur më mirë me vendin.
I pari i LDK-së tha se vendi është në një krizë politike pas ngjarjeve të fundit në Kuvend, “pasi ato institucione janë dalë nga vota e vjedhur dhe atë tani po e pranojnë edhe përfaqësues të partisë në pushtet”, theksoi Mustafa.
(KosovaTimes)

Lini një koment