Isë, çka të vetën?
Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa është intervistuar për dy orë nga Prokurori i EULEX-it, Pascal Persoon. Zyra e Kryetarit të Prishtinës tha se ndërkombëtari u interesua për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së pas luftës. Por, misioni evropian nuk u deklarua nëse po heton apo jo ndonjërën prej këtyre vrasjeve, e as nëse kreu i Komunës u intervistua për çështjen Hamiti.
Isa Mustafa nuk e ka pirë i vetëm kafen e mëngjesit. Atij i erdhën disa mysafirë në zyrën e tij në Komunën e Prishtinës. Mysafiri që e vizitoi Isën me sabah ishte hiç më pak se një prokuror i EULEX-it, shkruan “Express”.
Pascal Persoon qëndroi gati dy orë në zyrën e kryetarit të Prishtinës. Prokurori ka marrë në pyetje Mustafën, e që në fokus kishte vrasjet e zyrtarëve të lartë të LDK-së pas vitit 1999. Kështu të paktën ka bërë të ditur vetë kryetari i LDK-së, gjatë përurimit të një shkolle në Prishtinë.
“Tema që biseduam me prokurorin e EULEX-it kishte të bënte me vrasjet e zyrtarëve të LDK-së pas përfundimit të luftës”, ka thënë Mustafa.
Ai tha se LDK-ja ka kohë që ka kërkuar hetime në lidhje me vrasjet e pasluftës së veprimtarëve të këtij subjekti politik.
“Mund të konfirmojmë se sot një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale ka intervistuar z. Isa Mustafa. Mustafa nuk është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit”, tha për “Express”, Blerim Krasniqi, zëdhënës në misionin evropian për sundim të ligjit. Krasniqi nuk ka dhënë sqarime se për çka është intervistuar Mustafa, me arsyetimin se hetimet janë në zhvillim e sipër.
“Ne nuk mund të japim detaje të mëtejshme pasi që nuk komentojmë për hetimet që janë në zhvillim e sipër”, tha Krasniqi.
Pas vitit 1999, janë vrarë dhjetëra veprimtarë të LDK-së, e që asnjëherë nuk janë gjetur dorasit e as që kanë filluar hetimet ndonjëherë për ta. Në lidhje me këto vrasje, EULEX-i ende nuk ka dalë zyrtarisht nëse kanë filluar hetimet për ndonjërën nga rastet kur viktima ishin zyrtarët e LDK-së. Ndonëse nuk konfirmohet për ndonjë rast konkret, EULEX-i as nuk mohon fillimin e ndonjë hetimi.
“Nuk mund të konfirmojmë ose mohojmë nëse janë duke u zhvilluar hetime për rastet që keni përmendur ju”, ishte përgjigjja e zëdhënësit Krasniqi.
Por kryetari i LDK-së ka thënë se i ka mirëpritur hetimet nga ana e EULEX-it me qëllim, siç tha ai, të zbardhjes së këtyre vrasjeve.
“Më vjen mirë që EULEX-i ka filluar të merret edhe me këto çështje”, tha Mustafa pa dhënë detaje se për cilat raste konkretisht është pyetur nga prokurori.
Mustafa mohoi të jetë pyetur edhe për rastin e Sami Hamitit, apo për të shumëkërkuarin që tash gjendet në burg, Enver Sekiraqa.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe zyrtari i lartë i LDK-së, Sami Hamiti ndodhet në paraburgim, nga 13 shtatori, si i dyshuar për zhvatje dhe për vepra të tjera të lidhura me korrupsion.
Ndërkaq Sekiraqa i vetëdorëzuar javën që shkoi është dërguar në burgun e Dubravës. Lidhja në mes të Sekiraqës dhe LDK-së bazohet në bazë të deklaratave të policit të vrarë, Triumf Riza, sipas të cilëve, Sekiraqa ka pasur lidhje të ngushta me LDK-në.
Pas vitit 1999, LDK-së i janë vrarë disa aktivistë si Xhemajl Mustafa, Ismet Rraci, Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj, etj vrasësit e të cilëve nuk u zbuluan asnjëherë. Por në korrik të këtij viti, hetuesit e EULEX-it kanë përpiluar një raport për disa nga këto raste të vrasjeve të cilat i konsideron si krime me motive politike. /Telegrafi/