Kalo te lënda

EULEX-i s’do të ketë rol ekzekutiv në veri?

Pak ditë më parë, ish shefi i ekipit negociator të Serbisë për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanovic, theksoi se EULEX-i do të ketë rol ekzekutiv në dy pikëkalimet në veri. Sipas tij, BE-ja nuk është duke ia thënë këtë Prishtinës – “për të mos e irrituar”.

Krejt ndryshme mendon Edita Tahiri, prijësja e ekipit negociator të Kosovës në dialogun teknik me Serbinë. Në një intervistë dhënë “Radio Dukagjinit”, ajo ka thënë se misionarët evropian nuk do të kenë rol ekzekutiv në dy pikat kufitare në veri të vendit.

“Marrëveshja e thotë qartë se EULEX-i nuk ka rol ekzekutiv, sepse marrëveshja për IBM bazohet në dokumentin e BE-së, me të cilin EULEX-i ka ardhur në Kosovë, e ku shumë qartë thuhet se EULEX-i nuk ka rol ekzekutiv në kufij”, është shprehur Tahiri

Ajo ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që nga deklaratat të kaloj në vepra dhe të filloj implementimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufijve. Sipas saj, implementimi i kësaj marrëveshjeje pos që i jep fund kontrabandës në veri të Kosovës, ndikon edhe në funksionimin më të mirë të gjithë rajonit.

Tahiri potencon se protokolli teknik i marrëveshjes për menaxhimin e kufijve precizon edhe mbylljen e rrugëve alternative ilegale në kufirin Kosovë-Serbi.

Ndryshe, Qeveria e Serbisë ka krijuar Grupin punues për zbatim të marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit në pikat kufitare me Kosovën, në krye të të cilit do të jetë shefi i ekipit për dialog teknik, Dejan Pavicevic. /Telegrafi/

Lini një koment