Çka po ndodhë në PDK?
Konfrontimet e fundit ndërmjet anëtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe mospajtimet e tyre që u panë në seancën e Kuvendit ku flitej për procesin e Privatizimit, ka bërë që analistët për çështjet politike në vend të kenë mendime të ndryshme sa i përket kësaj çështje.
Ata kanë deklaruar për Indeksonline se kjo përçarje mund të jetë edhe planifikim dhe strategji e Partisë Demokratike të Kosovës për të arritur tek një situatë për zgjedhje të jashtëzakonshme ose edhe ndryshimet në Qeveri. E po ashtu analistët thonë se mund të jetë edhe një distancimi i disa prej pjesëtarëve të PDK-së, nga të bëmat e të këqija të partisë siç thonë ata.
Në anën tjetër kjo përçarje shihet edhe si margjinalizim ndaj dy anëtarëve të PDK-së, Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limaj. Madje, sipas Halil Matoshit, analistë politik në vendin tonë, PDK-ja është parti që nëse nuk ke pushtet, nuk ke as masë prapa vetes.
“Këta duan ti margjinalizojnë Jakupin e Fatmirin, sepse në PDK, nëse nuk ke pushtet nuk ke as masë prapa vete… ikin krejt prej tyre. Dhe si të del fraksion nga PDK, atëherë se voton më kush”, thot Matoshi.
Analisti tjetër dhe njëherit edhe drejtori i Organizatës “ÇOHU” Avni Zogiani, ka deklaruar për Indeksonline, se nuk beson që PDK-ja është duke u përçarë, por që është një lojë e tyre. Ose sipas Zogianit thjeshtë mund të jetë një strategji brenda partisë, që me arrit deri tek ndryshimet në qeveri, ose zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Unë mendoj se për të dyja këto objektiva ka një farë arsye për shkak se, thjesht jemi duke u përballuar me disa probleme të jashtëzakonshme, siç është dialogu me Serbinë, që nënkupton koncesione, mundet me qenë një kafshatë e pakapërdishme për koalicioni aktual edhe thjesht kërkohet një riformulim i qeverisë dhe përgjithësisht i koalicionit. Ma merr mendja që një faktor tjetër në këtë kontekst është edhe presidenti i vendit”, ka thënë Zogiani.
Zogiani thotë se PDK-ja përmes këtyre dy objektivave synon të arrijë dhe të sjell një situatë politike të re.
“Unë më së pari nuk po e shoh se nuk po veprojnë sistematikisht jashtë PDK-së. Unë mendoj se ktu ka mundësi që kriza po krijohet si artificiale dhe qëllimi kryesorë është shmangia e dialogut që siq po shihet do të jetë një moment edhe fatal për Kosovën”, është shprehur Zogiani.
Përçarjet në Partinë më të madhe në Pushtet (PDK), janë parë edhe me një sy tjetër nga analistë tanë. Njëri nga ta thotë për Indeksonline se dikujt mund ti ketë ardhë në majë të hundës në PDK dhe më nuk mund të pajtohet me të bëmat e këqija brenda kësaj partie.
Analisti Nexhmedin Spahiu, thekson se shihet qartë se disa prej personaliteteve të PDK-së po e shohin të rrugës që të distancohen nga disa prej kolegëve të tyre, që nuk kanë edhe aq “CV” të mirë.
“ Kjo është një qasje e disa prej anëtarëve të PDK-së për tu distancuar nga të këqijat e të tjerëve dhe ai që ka një kod moral mund të tolerojë deri në një masë por jo aq larg. Këtë çast e kuptoj edhe reagimin e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limaj”, ka deklaruar Spahiu.
Ai nuk e ka mohuar se kjo mund të jetë edhe një lojë politike e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ndërsa nga Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka qenë e mundur të merret ndonjë prononcim në lidhje me këtë çështje./Indeksonline/