Kalo te lënda

Brukseli të mërkurën pret delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit

 Kryesuesi i ekipit negociator pë dialog teknik me Prishtinën, Dejan Paviçeviq tha sot se të mërkurën në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit, Prishtinës dhe të BE-së do të shqyrtojnë “çështjet e pazgjidhura nga Protokolli për menaxhimin e integruar të kufijve”. “Ky proces do të zgjasë një kohë, nuk duhet pritur që do të ndodhë diçka substanciale dhe e madhe javën e ardhshme”, tha ai për televizionin serb Pink.

Sipas fjalëve të tij, qeveria serbe nuk do të lejojë që në vendkalime të ketë shenja të Kosovës.

“Do të ketë vetëm shenja informative – pa shenja të shtetësisë, e jo të të ashtuquajturës Republika e Kosovës”, tha Paviçeviq.

Ai po ashtu përsëriti fjalët e shefave të tij se qëllim strategjik i Serbisë është pranimi në BE, por që “nuk duhet lejuar që për arsye të datës së bisedimeve për datën e kandidimit gjërat të bëhen shpejt”.

Ai shtoi se prioritet është zbatimi i të gjitha marrëveshjeve, si dhe i marrëveshjes për kadastrën (regjistrat civilë), i cili, siç tha ai, do të zgjidhë problemin e pronave të uzurpuara të serbëve në Kosovë.

Lini një koment