“20 vjet BB-Shqipëri, bashkëpunim i shkëlqyer”
Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin me Bankën Botërore, që shënon sot 20 vjetorin e partneritetit me vendin tonë.
Në ceremoninë e mbajtur për këtë rast, Berisha ka falënderuar për përkushtimin me të cilin drejtues dhe përfaqësues të BB kanë punuar në Shqipëri.
“Të gjithë erdhën me përkushtim në këtë vend që 20 vjet më parë përpëlitej, ata në zemër të Evropës gjetën Ugandën e Angolën, befasi e madhe, do gjenin zyrtarë që kishin njohuritë më minimale afër zeros për sistemin që do ndërtonin, megapol të mjerimit njerëzor. Ekspertiza e tyre, universi i reformave, për të cilat u bënë promotorë së bashku me autoritete shqiptare u shndërruan në faktorë kryesorë të transformimit epokal të Shqipërisë. Ka dhe një arsye tjetër të fortë, BB në këto 20 vjet ka qenë avokate e dhimbsur e interesave të tyre, nuk ka injoruar efektet dhe dhimbjen e reformave, por ka bërë gjithçka që të qëndrojë në anën e atyre që janë më në nevojë”- tha ai.