Kalo te lënda

Serbët tentojnë pengimin e ndërtimit të shtëpive

Menjëherë pasi që është përmbyllur ceremonia simbolike e vënies së gurit themeltar për ndërtimin e 25 shtëpive për shqiptaret e lagjeve të veriut të Mitrovicës, një grup i serbëve është mbledhur në “Kodrën e Minatorëve”, në tentim për të penguar fillimin e punimeve në ndërtimin e shtëpive.

Me protestuesit ndodhej edhe kryetari paralel i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq. Sipas serbëve të mbledhur, në shtëpitë që do të ndërtohen do të vendosen shqiptarë, të cilët nuk kanë jetuar kurrë aty, ndërsa kërkuan të dinë se kush ka dhënë leje për ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive në “Kodrën e Minatorëve”.

Ndërkaq, vetë Pantiq, tha se akti i vënies së gurit themeltar për ndërtimin e 25 shtëpive provokon destabilizimin e Mitrovicës, ngrë tensione dhe provokon konflikte, e që sipas tij, pastaj do të fajësohen serbët.

“Qëllimi i autoriteteve qeverisëse shqiptare është që t’i sjellin këtu shqiptarët, të cilët kurrë nuk kanë jetuar në Mitrovicë dhe në atë mënyrë ta ndryshojnë strukturën etnike në veri të Mitrovicës. Plan të njejtë kanë pasur edhe në Suhadoll, ku kanë planifikuar t’i ndajnë 138 troje të komunës për ndërtimin e shtëpive për shqiptarët e rajonit të Drenicës dhe të anës së Skënderajt”, tha Pantiq.

Pas rreth një ore të protestës dhe pas, siç kanë thënë serbët, “heqjes dorë nga paralajmërimi për fillimin e punëve në rindërtimin e shtëpive”, serbët e mbledhur janë shpërndarë.

Lini një koment