Kalo te lënda

Qeveria rrit pensionet për afro 40 %

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pensioneve të 164 mijë pensionistëve kosovarë. Nga ky vendim do të përfitojnë rritje prej 40 për qind pensionistët kontributpagues, të cilëve 26 për qind do t’u paguhet retroaktivisht që nga janari i këtij viti, ndërsa pjesa tjetër prej janarit të vitit 2013.

Qeveria ka vendosur që edhe pensionet bazë të rriten në vlerë prej 33.3 për qind, dhe lartësia prej 11.1 për qind do t’u paguhet shfrytëzuesve që nga 1 janari 2012, kurse lartësia tjetër e rritjes do t’iu paguhet që nga janari 2013. Po ashtu rriten pensionet e aftësisë së kufizuar në lartësi prej 33.3 për qind, ku lartësia prej 11.1 për qind do t’u paguhet shfrytëzuesve që nga 1 janari 2012, kurse pjesa tjetër do t’iu paguhet në fillim të vitit të ardhshëm.

Numri i përgjithshëm i pensionistëve që do të përfitojnë nga kjo rritje është 164 mijë e 200 përfitues, prej të cilëve janë 112 mijë pensione bazë, 35 mijë pensione kontributdhënëse dhe 17 mijë 200 përfitues të pensioneve për aftësi të kufizuar. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se ky vendim është ndërmarrë gjatë përgatitjes së procesit buxhetor, si dhe pas analizave të detajuara me Ministrinë e Financave dhe atë të Punës dhe duke mos rrezikuar fare qëndrueshmërinë buxhetore dhe stabilitetin financiar të vendit.

“Sot po e marrim këtë vendim, duke u bazuar në Programin e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe premtimit të dhënë para pensionistëve”, ka thënë Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.

Sipas tij, një nga prioritete kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë është dhe do të mbetet rritja e mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të gjitha kategoritë dhe të gjitha shtresat e shoqërisë kosovare. /Indeksonline/.

Lini një koment