Mustafa: Qeveria nuk po merret me qytetarin
Kryetari i Prishtinës, njëherazi i pari i LDK-së, Isa Mustafa të mërkurën dhe të enjten ka pritur në takime të veçanta përfaqësuesin e BE-së në Prishtinë, Samuel Zbogar dhe ambasadorin e Austrisë në Prishtinë, Johann Brieger, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike në vend.
Në këto takime, siç bën të ditur zyra për informim e Komunës së Prishtinës, është biseduar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Mustafa ka shfaqur gatishmërinë e tij që LDK të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtar në adresimin e problemeve dhe sfidave që e presin Kosovën, drejt konsolidimit të plotë të shtetësisë së saj.
“LDK, përmes grupit të saj parlamentar në Kuvendin e Kosovës, do të prezantojë dhe mbrojë qëndrimet e saja politike. LDK kundërshton çdo dialog me Serbinë, në të cilin do të diskutohet për integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës”, ka theksuar Mustafa në këto takime, transmeton “Zëri”.
Sa i përket reformës zgjedhore, kryetari Mustafa tha se komisioni i cili udhëhiqej nga LDK e ka kryer punën e tij dhe të gjitha rekomandimet për reformën zgjedhore ia ka përcjellë Kuvendit të Kosovës, andaj, tha kryetari Mustafa, “tash është koha që kuvendi të procedojë me ato, sipas rregullores se punës së Kuvendit”.
Kryetari Mustafa, më tej ka thënë se LDK është e interesuar që vendi të këtë një qeveri të qëndrueshme dhe që ka besimin e qytetarëve. “Kjo qeveri nuk merret me problemet e qytetarëve”, ka thënë Mustafa. /Telegrafi/