Mitrovicë: Fillon rindërtimi i 25 shtëpive në veri
Ka nisur faza e dytë e rindërtimit të shtëpive në veri të Mitrovicës në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”. Të enjten është mbajtur edhe një ceremoni në Kroin e Vitakut, ku simbolikisht është vënë gurthemeli për rindërtimin e 25 shtëpive të tjera.
Gurthemeli është vënë nga nënkryetari i komunës, Riza Haziri, drejtori i Infrastrukturës, Rasim Veseli dhe përfaqësuesi i lagjes, Nazmi Ismajli. Ata u shprehën të kënaqur me vazhdimin e këtij procesi që ka mundësuar kthimin e shumë të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.
Këto shtëpi, tha ai, do të rindërtohen me rreth 400 mijë euro që janë mbledhur në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”. “ë kuadër të këtij grupi do të rindërtohen shtëpi në Kroin e Vitakut, Kodrën e Minatorëve, Lagjen e Boshnjakëve, Suhadoll dhe lagjen “Shtatë Shtator” .
Shumë i lumtur me punën që po bëhet rreth rindërtimit në veri, u shpreh edhe përfaqësuesi i Kroit të Vitakut, Nazmi Ismali. Këtu është duke u bërë një punë shumë e mirë që po na krijon kushte për t’u kthyer në shtëpitë tona, tha ai.
Ndryshe në kuadër të aksionit “Ndihmo edhe ti”, në fazën e parë janë rindërtuar dhe janë në proces rreth 25 shtëpi, të cilat janë duke u kryer nga kompanitë private, të cilat kanë premtuar rindërtimin e atyre shtëpive me fondet e veta, përderisa në fazën e dytë shtëpitë janë duke u rindërtuar me fondin e mbledhur në atë aksion.