Letër dashurie Shqipërisë
Aktorja holivudiane Eliza Dushku, e cila gjithmonë ka shprehur me krenari origjinën shqiptare, ka sjellur në Tiranë filmin dokumentar dedikuar atdheut shqiptar.
Dushku, bashkë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, kanë parë nga afër punimet e bëra nga arkitektë vendas dhe të huaj, të ekspozuara në Tiranë, në kuadër të “Tirana Art Day”.

Aktorja është shprehur shumë e kënaqur që është në Shqipëri, duke konsideruar dokumentarin e realizuar prej saj, “Dear Albania” ( E dashur Shqipër), si letër dashurie drejtuar Shqipërisë.
“Unë jam Eliza Dushku, jam aktore ndërkohë që jam një qytetare mjaft e re shqiptare, vetëm vitin e kaluar unë kam marrë nënshtetësinë. Do të doja t’ju thoja se kjo është një përvojë mjaft e re. Unë kam ardhur këtu sëbashku me familjen time, sëbashku me fotografin e nderuar z. Fadil Berisha, në mënyrë që ne të festojmë dhe në fakt ky është një festim. Jemi shumë të kënaqur të shohim këtë lloj ndërthurje të artit, arkitekturës dhe të festës që ne bëjmë këtu. Në fakt, jemi këtu për të festuar Tiranën dhe jam këtu gjithashtu për të treguar premierën e dokumentarit tonë, “E dashur Shqipëri”, letra ime e dashurisë për këtë vend,” ka thene ajo.
Tutje, ajo ka treguar se kanë marrë mbështetje edhe nga vende të ndryshme të rajonit, si Mali i Zi, Maqedonia dhe vende të tjera, të cilat do ta shfaqin këtë premierë në kinematë e tyre.