LDK s’ka vend për themeluesit e saj
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësohet të ketë krizë të brendshme ku grupe të ndryshme pretendojnë të marrin drejtimin, siç thuhet, për ringjalljen e saj. E, një grup i tillë vjen edhe nga jashtë. Ata janë disa intelektualë themelues e ish-anëtarë të kësaj partie. Por në LDK vlerësojnë se ata mund të rikthehen në parti si çdo anëtarë tjetër i thjeshtë, por jo edhe të marrin drejtimin e saj
Lidershipi aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka guxim intelektual e politik për t’i kthyer në parti njerëzit që i shërbyen për disa vite me radhë. Ish-anëtarë e themelues të kësaj partie thonë që një gjë e tillë është e nevojshme për LDK-në, por, sipas tyre, aktualisht nuk ka ndonjë disponim të tillë nga ana e udhëheqësve të kësaj partie.
Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, në një deklaratë për Gazetën “Lajm”, ka thënë që partia është e hapur për këdo, mirëpo, sipas tij, për të marrë pozita udhëheqëse në këtë parti, duhet të gjithë t’i nënshtrohen statusit të partisë dhe rregullores së zgjedhjeve, shkraun gazeta lajm.
Njëri nga aktivistët e LDK-së, Berim Ramosaj, që tanimë është një anëtar i thjeshtë i kësaj partie, ka thënë se freskimi i LDK-së me kuadro intelektuale është i nevojshëm, gjë që, sipas tij, do të ishte një infuzion për këtë parti politike. Sipas tij, një gjë e tillë është e pamundur momentalisht me këtë lidership që ka LDK-ja.
“Nuk besoj në lidershipin aktual, përkundrazi, dyshoj nëse ky lidership ka guximin politik e pastaj edhe intelektual të bëjë mbledhje të reja në LDK. Ndoshta do të ishte një infuzion i ri, ku do të krijohej një ambient i ri për një Lidhje Demokratike të fuqishme, që do të merrte barrën e vendimeve të rëndësishme në vend”, ka thënë Ramosaj.
Sipas tij, një qasje e re ndaj mendimeve ndryshe në këtë parti mund të ndodhë vetëm nëse ndërrohet lidershipi aktual i LDK-së, që, sipas Ramosajt, nuk toleron asnjë mendim ndryshe në parti.
“Qasjet e reja në LDK mendoj që do të vijnë në shprehje vetëm në qoftë se do të ndryshohet ky lidership aktual ose të ndonjë ndërrimi të tërësishëm të qëndrimeve, gjë të cilën unë nuk e besoj”, është shprehur ai.
Ramosaj ka thënë që mendimi ndryshe në këtë parti është sanksionuar edhe me rregulloret në statutin e LDK-së.
“Edhe në aspektin rregullues ligjor, statutit të partisë, nuk i jepet shumë mundësi mendimeve ndryshe dhe kreative, përveç atyre që janë mendime të uniformuara”, ka deklaruar Ramosaj.
Edhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Milazim Krasniqi, ka thënë që në parim kjo parti do të mund t’i kthente të gjithë intelektualët që kontribuuan për të, por, sipas tij, për një gjë të tillë ende nuk është e gatshme kjo parti. “Parimisht mendoj që mund të kthehen të gjithë ata që konsiderojnë që mund të gjejnë hapësirat për veprim dhe për të realizuar synimet politike që kanë.