Krasniqi, Grabovcit: Provo kush është më i fortë!
Tensionet e Seancës së sotme e Kuvendit të Kosovës kanë filluar me përplasjen në mes të kreut të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së Adem Grabovci.
Mbledhja e Kuvendit, e nisur me konfrontime e polemika të ashpra midis kryeparlamentarit e kryetarit të Grupit të PDK-së, çoi në shtyrjen e saj. Pas pushimit 15 minutash, të kërkuar nga deputeti Adem Grabovci, Kuvendi s’kishte forum që të merrte çfarëdo vendimi, meqë deputetët e PDK-së nuk u kthyen në sallë.
Ndërsa kryeparlamentari Jakup Krasniqi konstatoi se në sallë ishin vetëm 54 deputetët, folësit e tjerë vunë re mungesën e deputetëve të PDK-së dhe të atyre partive në bashkëqeverisje me të, por edhe të AAK-së.
“ Ne nuk pranojmë asnjë rend të ditës, pa u votuar këto dy pika që kanë dalë nga seanca e djeshme”, tha Grabovci. Ai kërcënoi kryeparlamentarin Krasniqi se mund të dëboj nga Kuvendi i Kosovës. Kësaj kërkese Kryeparlamentari Jakup Krasniqi i është përgjigjur se të gjithë deputetet duhet ta lexojnë rregulloren e punës së Kuvendit e pas gjithë kësaj të paraqesin kërkesa të ndryshme. Krasniqi theksoi se do ti përmbahet vetëm ligjit dhe rregullores së punës në Kuvend pa ia varur shumë dëshirave e qejfeve të të tjerëve.
“Unë punoj vetëm sipas rregullores” tha Krasniqi. Madje Krasniqi i tha Grabovcit se nëse donte të rrinte në Kuvend le të rrinte e nëse jo mund të dilte. Ndërkohë LDK dhe VV thanë se do të votojnë për mocionin e propozuar dje në Kuvend.