Kalo te lënda

Jahjaga hap punimet e Samitit Ndërkombëtar të Gruas

Në hapje të Samitit Ndërkombëtar të Gruas në Prishtinë, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka bërë prezantimin e disa prej pjesëmarrëseve më të rëndësishme në këtë samit 3 ditor. “Kemi nderin që të jemi të shoqëruara nga ish-sekretarja amerikane e shtetit Albright, gruaja që është një mikeshë e Kosovës, e cila ka qenë pjesë e përbashkët e pavarësimit tonë por edhe e paqes kudo në botë gjatë angazhimit të saj në diplomaci”, ka thënë Jahjaga, duke i uruar mirëseardhje ish-sekretares Albright dhe të ftuarave të tjera. Gjatë këtij samiti, sipas Jahjagës, do të zhvillohen partneritete të reja, në drejtim të zhvillimit të demokracisë. “Përkushtimi juaj ka dëshmuar se lidershipi është i domosdoshëm në këtë kohë. Ne kemi nevojë të jemi më të zëshme në përfaqësimin politik, por të kemi edhe një rol më të madh në vendimmarrje, në vendosjen e themeleve të demokracisë”, ka thënë Jahjaga. Sipas presidentes së Kosovës, gra si sekretarja Clinton dhe Albright kanë shfrytëzuar fuqitë e tyre për t’i ndihmuar vendet në nevojë, përfshirë edhe Kosovën, dhe për këtë arsye edhe gëzojnë respektin e popullit dhe institucioneve të Kosovës. Jahjaga i ka falënderuar pjesëmarrëset për shprehjen e dëshirës për të qenë pjesëmarrëse në këtë samit, me idenë e shkëmbimit të ideve dhe ndarjes së vizionit të përbashkët për Evropën Juglindore. Më tutje ajo ka treguar se në rajon është shtuar numri i grave në përfaqësimin politik në nivel qendror. Sipas saj, këto gra nga Evropa Juglindore kanë tejkaluar vijat partiake, duke u përkushtuar në nevojat e vendeve në tranzicion. Jahjaga ka përmendur nivelin e kënaqshëm të përfaqësimit të gruas në nivel qendror në Kosovë, por ka kritikuar nga ana tjetër mospërfaqësimin e barabartë gjinor në nivelet komunale, gjë që, sipas saj, kërkon angazhim më të madh të institucioneve të vendit dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe sugjerimet e pjesëmarrëseve ndërkombëtare në samit, për t’i tejkaluar këto sfida.

Të fuqizojmë rolin e gruas, si një motor i fuqishëm për ndryshimin e botës. Ky ka qenë apeli që Kryeparlamentarja e Kuvendit Jozefina Topalli bëri përpara grave dhe vajzave pjesmarrëse në Samitin Ndërkombëtar të Gruas “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Gruas”. Topalli një falenderim të vecantë ia ka dedikuar ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, për rolin e saj të padiskutueshëm në dhënien fund të dhunës në Kosovë. “Një falenderim të veçantë zonjës Albright. Me një guxim të madh, Ju ishit e para, Ju dolët haptazi duke i kërkuar Amerikës, demokracisë më të madhe në botë dhe ish presidentit të madh Bill Clinton t`i japë fund dhunës, gjenocidit e padrejtësisë në këtë rajon. Magdalen Albright guxoi. Ju zonjë ishit E DREJTA. Ju ndryshuat botën. Dhe ja ku jemi sot me një shtet të ri, të lirë dhe të pavarur, në një rajon që nuk ka më luftë. Unë ju jam mirënjohëse pa fund zonja Albright! Shqiptarët ju janë mirënjohës, rajoni ju është mirënjohës” u shpreh ajo. Teksa ka vlerësuar rolin absolut të grave në familje dhe shoqëri, Topalli tha se çdo grua që përballon problemet e drejtimit të shtëpisë së saj është e aftë për të përballuar problemet e drejtimin të vendit ku jeton. Sipas Kryeparlamentares, gruaja nuk duhet vetëm të nënshtrohet, ajo duhet të sfidojë. Ajo nuk duhet të druhet. Ajo duhet të guxojë. Fuqizimi i gruas për Topallin është fuqizimi i nënës, është fuqizimi i familjes. Fuqizimi i familjes është fuqizimi i shoqërisë, i botës. “Studimet e fundit thojne se gruaja është edhe me inteligjente. Unë besoj tek përkushtimi i saj. Unë dua që politika të ketë me mijëra zonja si Albright, me mijëra zonja si Thatcher, me mijëra zonja si Clinton, me mijëra zonja si Merkel. Unë dua që ekonomia botërore të ketë në krye me qindra zonja si Marisse Mayer. Njerëzit në të gjithë botën kanë qenë gjithmonë të impresionuar më shumë nga fuqia e shembullit tonë se nga shembulli i fuqisë sonë. Fuqizimi i gruas për ndryshim nuk duhet të jetë vetëm lakmi për të tjerët. Ai duhet të shërbejë si motor i rinovimit të botës. Fuqizimi i gruas është çështje e së drejtës. E për këtë ne duhet të dëshmojmë histori suksesi për të frymëzuar, për të dhënë më shumë kurajo grave kudo në botë. Ne duhet të kthejmë prozhektorët tanë tek ato gra që kane punuar dhe punojnë për të ndryshuar botën” theksoi Kryeparlamentarja.

Lini një koment