Kalo te lënda

AKR: Lunacek nuk iu referua Pacollit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek e pyetur nga gazetarët lidhur me rastin e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, i cili është nën hetime nga prokuroria e EULEX-it, ka thënë se dorëheqja e tij do të ishte shembull i mirë dhe do të përmirësonte imazhin e Kosovës.

“Nëse dikush akuzohet për krime të rënda, mendoj se dorëheqja do të ndihmonte shumë, si për imazhin e Kosovës po ashtu edhe për vet perceptimin që kanë qytetarët për politikanët. Politika nuk duhet të jetë një biznes i ndyrë, por ndonjëherë ashtu perceptohet nga njerëzit, sepse ndonjëherë ka afera korruptuese në politikë dhe kjo jo vetëm në Kosovë, por edhe në shumë shtete të tjera, përfshirë edhe Austrinë, vendin tim”, ka thënë Lunacek.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Aleancës Kosova e Re. Partia e Behgjet Pacollit thekson se beson fuqimisht që zonja Lunacek është keqpërdorur me qëllim “nga ana e disa medieve dhe qarqeve të caktuara në Kosovë, të cilat tash e sa kohë nuk pushojnë së reshturi në lansimin e lloj-lloj intrigave ndaj zv/kryeministrit të parë të qeverisë së Kosovës, njëherësh president i AKR-së dhe punës së gjithë qeverisë së Kosovës”.

“Ne jemi të prirë të besojmë se eurodeputetja e nderuar Lunacek nuk i është referuar me këtë rast zotit Pacolli, sepse kësisoj do të binte në kundërshtim edhe me frymën e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe parimeve Europiane të cilat prezymojnë pafajësinë në secilin rast. Për më tepër, zëvendëskryeministri Pacolli nuk ka pasur asnjëherë ndonjë njoftim se kundër tij janë duke u zhvilluar hetime. Përkundrazi, në këtë rast konsiderojmë se veprimi i z.Pacolli, i cili me kohë ka denoncuar një rast korrupsioni në autoritetin e duhur, duhet të çmohet dhe të vlerësohet nga të gjithë, e veçanërisht nga ata të cilët kërkojnë nga institucionet e shtetit të Kosovës sundimin e rendit dhe të ligjit.

AKR i bën thirrje zonjës Lunacek të deklarohet përkitazi me deklaratën në fjalë, në mënyrë që të mos bie pre e keqinterpretimeve të medieve dhe grupeve të caktuara, të cilat me çdo kusht kërkojnë  ‘kokën’ e atyre që janë të vendosur dhe veprojnë për sundimin të rendit dhe ligjit”, thuhet pos tjerash në këtë reagim.

Lini një koment