Kalo te lënda

Vendos Shefi

Debatet për reforma brenda Partisë Demokratike të Kosovës kanë vazhduar edhe të martën. Kundërshtitë mes zyrtarëve kryesorë të këtij subjekti po zhvillohen në kohën kur pritet të mbahet Kuvendi Zgjedhor.

Por, edhe pse më parë është përmendur dhjetori si opsion për zgjedhjet brendapartiake, burime të “Expressit” thonë se caktimi i datës është në dorën e Shefit, Hashim Thaçit.

Madje, sipas burimeve të Expressit brenda PDK-së, i vetmi që mund të dijë datën e saktë për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të Partisë është shefi i saj, Hashim Thaçi.

“Krejt ata që deri më tani kanë folur në media për data të caktuara, nuk janë asgjë tjetër veçse njerëz të cilët kanë qejf të duken në opinion si të informuar rreth asaj që ndodh brenda partisë së tyre, por realisht ata nuk din asgjë. I vetmi që mund të dijë datën e zgjedhjeve brenda partisë është Kryetari”, ka thënë një zyrtar i PDK-së për “Express” në kushte anonimiteti.

“…Kurdo që i teket atij, zgjedhjet do të mbahen”, ka shtuar i njëjti më tej.

Sipas këtij Zyrtari të PDK-së, pavarësisht të gjithave, Kuvendi i rregullt Zgjedhor do të duhej të mbahej brenda këtij viti.

Zyrtarisht pengesë për realizimin e kësaj thuhet të jetë mospërfundimi i reformave të cilat janë duke u bërë në parti.

Për këtë proces, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PDK-së është themeluar edhe një komisioni veçantë nën udhëheqjen e vetë liderit të saj.

“Për çështjet e diskutuara në mbledhje, është formuar edhe një grup të cilin e kryeson Lideri i Partisë. Ky grup do të marrë vendime adekuate për secilën çështje në bazë të rekomandimeve të Kryesuesit të tij, pra Kryetarit të Partisë”, pati deklaruar Hajredin Kuçi për media, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, kohë më parë. /Telegrafi/

Lini një koment